Nga Daut Dauti

Gjithnjë e më shumë është duke u venitur arsyeja për të shkuar në kinema. Dikur ka qenë ndryshe. Shkuarja në kinema ka qenë ngjarje e rëndësishme për shkak se kjo ka ishte ndër mënyrat e rralla të kontaktit kulturor me botën. Nuk mund ta përshkruaj mjaftueshëm përjetimin e ndjenjës eksituese dhe sheqëtuese që ma krijonte kinemaja në fëmijëri. Që nga momenti i afrimit te ndërtesa e deri te shfaqja e filmit, përjetimet kanë qenë të thella e të veçanta. 

Nuk ka qenë lehtë të shkoje në kinema për shkak se duheshin para për biletë. Por, paratë i siguronim disi. Shpesh i gënjenim prindërit se na duheshin për ndonjë libër apo fletore. Një formë tjetër ka qenë mbledhja e bakrit që e shisnim. I mbledhnim gajtanat e vejtër, telat dhe copat e bakrit që i gjenim. Ato i bënim si top dhe shpesh, kur ia zinim fillin, e futnim një copë hekur që të shtohej pesha se nuk ishte lehtë ta bëje një kilogram. Pastaj, e shisnim te ‘otpadi’ që ka qenë ngjitur me Gjaminë e Llapit. ‘Triku’ me hekur nuk kalonte më shumë se shpesh pasi që e diktonte ai tipi me kapuç ‘francuski’ që na e matte topin e bakrit në një ‘vagë’ të ndryshkur dhe na dënonte me çmim. 

Edhe nëse i kishim paratë, shpesh mbetnim pa bileta. Kjo ishte për arsye se për filmat e mirë kishte shumë të inetersuar dhe ne fëmijët mbetnim jashtë sallës me zemër të thyer. Të dëshpëruar, detyroheshim të shkonim në ndonjë kinema tjetër ku filmi ishte më pak interesant. Filmat e mirë diheshin sipas aktorëve, fotografitë e të cilëve qëndronin në tabelën e reklamës në murin e jashtëm të kinemasë. Psh. filmat që duhej të shikoheshin luanin aktorët siç ishin: Alen Delon, Brizhit Bardo, Sofia Loren, Gjina Llollobrigjida, Zhan Poll Bellmondo, Li Van Klif, Gjuliano Gjema, Gjon Vejn, Bert Lankaster, Bad Spencer, Terens Hill, etj. Filmi ishte edhe më i veçant nëse në të luante Bekim Fehmiu.  

Prishtina atëherë ka patur katër kinema. Kinemaja kryesore dhe më e madhja ka qenë Kino Rinia I. Mbi të, në katin e dytë, ka qenë Kino Rinia II. Pastaj, Kino Vllaznimi që kishte sallë më të vogël dhe ku shfaqeshin zakonisht filmat me kaubojë. Në Kino APJ (Armata Popullore e Jugosllavisë), zakonisht shfaqeshin filma të luftës dhe ata vendas që kishin të bëjnë me lartësimin e sistemit ekzistues politik dhe ushtarak. 

Para Kino Rinisë krijohej një pamje e veçant. Kanë qenë diku rreth pesë apo gjashtë veta, që të parët e zinin hapësirën e sportelit të vogël të mbrojtur me parmakë hekuri. Këta kanë qenë shtërshitësit, gjithmonë të njejtë dhe gjithmonë të urryer nga unë. Pas tyre, në formë të rrethit e jo të rradhës, vinin tjerët që ishin më të shquar fizikisht. Pastaj tjerët e dikur edhe ne fëmijët. Nga larg kjo masë dukej si një tufë demash të uritur që pritnin ushqimin ose hyrjen në koridë spanjole. Kur hapej sporteli, fillonte shtyerja. Këmbët përforcoheshin për platformën e rrëshqitshme të betonit vizëllues, krahërorët dukeshin duke u munduar të depërtonin para njëri tjetrit kurse duart lëviznin duke kërkuar hapësirën për okupim. Në këto rrethana, momentet e shkëmbimit të grushtave e shqelmave nuk kanë qenë të pazakonshme. Kur afroheshim ne të pafuqishmit, gjithmonë gjendej dikush që na kapte për jakat e palltove dhe na hudhte larg nga turma sikur pendlën e pulës.

Kur mbyllej sporteli, pasi i shiste biletat, stërshitësit dilnin përtej platformës në rrugë për t’i pritur myshterinjtë (viktimat), për t’ua shitur biletat së paku edhe një herë më shtrenjtë se që i kishin blerë. Njerëzit edhe e pranonin këtë mënyrë për shkak se këto ishin biletat e  rradhëve me karrika më të mira dhe për shkak se ishin nisur në kinema dhe nuk ktheheshin pa e parë filmin. Ata që mbetnin pa bileta ishim ne fëmijët ose ndonjë hallkeq tjetër, që nuk e përballonim çmimin e dyfishtë. Kjo ka qenë puna e këtyre njerëzve të punësuar para sporteleve. Me siguri fitonin shumë se visheshin mirë. Kjo ka qenë klasa e halabakëve prishtinas dhe për çudi milicia nuk i bezdiste dhe i linte që ta ushtronin këtë profesion të urryer. 

Para kimenasë krijohej një tollovi nga njerëzit që pritnin hapjen e dyerve. Faraxhitë qëndronin anash, në radhë dhe ulur në disa karrika të vogla ose ecnin mes njerëzve duke i reklamuar farat e zeza dhe të bardha në shportën e mbushur ku anash qëndronin fitilat nga letra e gazetave apo fletoreve e librave të përdorura. Në mes shportës, një gotë, sa ajo e rakisë, rrinte e mbushur me fara që ishte sasia matëse e një njësie. Shitësit kanë qenë zakonisht romë dhe me zërin ftues e respektonin dygjuhësinë: ‘fara’, ‘semenke’, ‘urnoni’, ‘izvollte’. 

Në parasallë bëhej zhurmë. Njerëzit bisedonin dhe herë-herë i shikonin biletat për t’u siguruar se ku i kishin ulëset dhe nëse duhet të hynin në derën mbi të cilën shkruante ‘levo’ apo ‘desno’. Ka qenë në modë t’i afroheshe banakut për të blerë së paku një ‘ranzhadë’ e të shiheshe në dorë me të se Coca-Cola ka qenë luks pak si i tepruar. 

Në Kino Rini ka pasur gjithmonë zhurnal para fillimit të filmit. Zhurnali kishte të bëjë me punën e suksesshme dhe përparimin e shtetit socialist ose me ndonjë vizitë të shokut Tito në botë. Udhëtonte shumë ai. Njerëzit e shikonin dhe shpesh pëshpëritnin:”krejt botën asht t’u e ba budallë”. Disa besonin se “ma s’shumti asht t’u i ba budallë arapt se po jav merr naftën pa pare”. 

Unë kthehesha nga lozhat dhe me sy e pritja lajmërimin e mrekullisë. Në vrimën e murit pas lozhave ishte kutia magjike nga ku dilnin rrezet që e nxirrnin fotografinë lëvizëse në perde. Kur fillonte filmi, sallën e pllakoste heshtja. Dëgjoje një ngërc-ngërc që dilte nga gojët e njerëzve që i kafshonin me shqetësim të pakontrolluar majat e farave. Përqëndroheshim ta kuptonim filmin që ishte në anglisht apo frengjisht e që përkthehej në serbisht – gjuhë të huaja për ne. Ata që vinin me femra e që i mbanin përdore, shpesh e shikonin atë tipin në anën tjetër, mos helbete nuk po e ruan distancën e po i afrohet femrës së tij më shumë se që lejohej sipas traditës dhe zakonit.

Tensionet nga fotografia në perde, krijonin efekt në sallë. Gjuljano Gjema ka qenë mjeshtër i këtyre situatave. Ai e nxirrte alltinë shpejt dhe i vriste armiqtë prej temasit, hiq pa i pa. Në këto momente njerëzit u aplaudonin veprimeve të këtilla që sillnin drejtësi me grykë të pushkës. Nuk ka pasë me këta kaubojë. Me një allti e vritnin një qytet. Aktorët e sotit janë kot. Gjuajnë tërë ditën me automatik dhe mezi e vrasin një njeri. 

Nëse filmat kishin për temë dashurinë, reagimi në sallë ishte edhe më interesant. Kur një burrë me një grua afroheshin, pritja në sallë bëhej e padurueshme. ‘Ngjitja’, ‘puthe’, ‘dishe’, ‘futja’ … dëgjoheshin rekomandimet sikur që regjisori dhe skenaristi kishin dështuar në punën e tyre. Me pak fjalë, këto kanë qenë situata të ‘Cinema Paradiso’ në mënyrën tonë. 

Në Kinema Vllaznimi ka qenë mirë nëse të qëllonte bileta në rendin e parë. Kjo ishte për shkak se bina ishte afër dhe mund të shtriheshe në karrikë dhe këmbët t’i vendosje në cepin e binës. Tamam kauboj. Por, puna më e mirë ka qenë kur dilje nga Kino Vllaznimi dhe e merrje kthesën e parë në të djathtë ku gjendej dyqani i Krašit. Kjo ka qenë ndër rutinat e dashura. Zot gjithë ato lloje të çokollatave që kishte ky dyqan që shkëlqente nga pastërtia dhe rregulli i vendosjes së mallit të ëmbël që e kishte. Edhe në momentet më të zorshme financiare ke mund të blije diçka aty. Së paku një aso çokollate të vogël ‘Životinjsko Carstvo’. Dhe, gjithmonë dëshpëroheshe se fotografitë e albumit nuk plotësoheshin kurrë. Kushedi sa herë më qëllonte ajo zebra e poshtër që nuk më duhej. Por, dëshpërimi zdukej rrugës për në shtëpi duke e grimcuar çokollatën sa më pak dhe duke e komentuar në mënyrën tonë filmin që e kishim parë. Ëmbëlsirë pas ëmbëlsire.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *