Në një vendim të fundit qeveria vendosi që certifikata që u duhet strukturave markë ndërkombëtare me katër apo 5 yje do të lëshohet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit deri në momentin që nënshkruhet një marrëveshje me një agjenci të mirënjohur.
Klasifikimi i strukturave akomoduese që duhet të ishte bërë me kohë sipas kuadrit ligjor të turizmit të miratuar thuajse një dekadë më parë ende mbetet pezull sipas kriterit të pajtimit të një agjencie ndërkombëtare të mirënjohur në sektor. Në një vendim të fundit qeveria vendosi që certifikata që u duhet strukturave markë ndërkombëtare me katër apo 5 yje do të lëshohet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit deri në momentin që nënshkruhet një marrëveshje me një agjenci të mirënjohur.
Klasifikimi parashikon që përveç kategorizimit që ka një strukturë nga bujtinë apo fjetinë, kamping e kështu me radhë deri në fjetje dhe mëngjes, të bëhet edhe një klasifikim i tyre që thënë shkurt parashikon një sistem të veçantë shoqëruar me shenja dalluese ku ndër to janë edhe yjet.
Konkretisht vendimi sqaron se pika 1 e nenit 7/1 e rregullores për kushtet, kriteret, tarifat, afatet dhe procedurën për klasifikimin e strukturave akomoduese, bashkëlidhur vendimit nr. 730, datë 20.10.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Përjashtimisht, deri në nënshkrimin e marrëveshjes me agjenci apo organizata ndërkombëtare të mirënjohura në fushën e vlerësimit të strukturave akomoduese, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 1, të nenit 7, të kësaj rregulloreje, verifikimi dhe vlerësimi për klasifikimin e strukturave akomoduese me 4 apo 5 yje, që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar e të njohur ndërkombëtarisht “Brand name”, bëhet nga ministria përgjegjëse për turizmin, me aplikim të vetë sipërmarrësit turistik.
Pas përfundimit të këtij procesi, ministria përgjegjëse për turizmin lëshon certifikatë klasifikimi me 4 apo 5 yje ose vërtetim që konfirmon se struktura akomoduese përmbush kriteret e përgjithshme për t’u klasifikuar si hotel me 4 apo 5 yje”, thuhet në vendim.
Ky përcaktim vjen i lidhur me një tjetër vendim të miratuar nga qeveria dhe që ka të bëjë me kazinotë. Konkretisht këto të fundit mund të ushtrojnë aktivitet nëse përmbushin disa kritere në ligjin për lojërat e fatit ku ndër të tjera është edhe të pasurit të një certifikate si hotel me 5 yje.
Pra në garën për t’u pajisur me licencë për kazino subjekti duhet të paraqesë edhe “Certifikatë klasifikimi me 5 yje ose vërtetim nga institucioni përgjegjës që konfirmon se struktura akomoduese përmbush kriteret e përgjithshme për t’u klasifikuar si hotel me 5 yje”. Pikërisht kjo do të lëshohet nga Ministria përgjegjëse./ Monitor.al