Kryeprokurori i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodian Braho, ka firmosur strukturën e re drejtuese të institucionit, duke përcaktuar rolet dhe përgjegjësitë e reja për prokurorët kryesorë.
Sipas gazetares Anila Hoxha, Altin Dumani është emëruar shef i seksionit për marrëdhëniet me jashtë. Ky departament ka një rol kyç në bashkëpunimin ndërkombëtar të SPAK, veçanërisht në shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin me autoritetet homologe jashtë vendit.
Ndërkohë, drejtimi i seksionit për hetimin e korrupsionit i është besuar prokurores Dorina Bejko. Ajo do të ketë përgjegjësinë për ndjekjen e çështjeve që lidhen me korrupsionin në nivele të ndryshme, një nga shtyllat kryesore të veprimtarisë së SPAK.
Prokurori Vladimir Mara është emëruar në krye të seksionit kundër krimit të organizuar, duke marrë përsipër drejtimin e hetimeve ndaj grupeve kriminale dhe veprimtarisë së tyre të strukturuar.
Departamenti për marrëdhëniet me jashtë, që tashmë do të drejtohet nga Altin Dumani, më parë ishte nën drejtimin e Dorina Bejkos. Ajo kishte zëvendësuar Arben Krajën, i cili e mbajti këtë detyrë për rreth tre vite, menjëherë pas përfundimit të mandatit të tij si kryeprokuror i SPAK.
Me këtë riorganizim, drejtuesit e SPAK synojnë forcimin e eficiencës institucionale dhe rritjen e efektivitetit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si brenda vendit ashtu edhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

