Klodian Braho është zgjedhur kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke marrë 7 vota pro. Ndërkohë, kandidati Adnan Xholi mori 3 vota, Elvin Gokaj 1 votë, kurse Doloreza Musabelli nuk mori asnjë votë.
Braho, i emëruar prokuror në vitin 2007, është pjesë e SPAK që nga krijimi i institucionit dhe aktualisht mban detyrën e shefit të seksionit kundër korrupsionit. Ai ka zhvilluar një karrierë të gjatë në drejtësi, duke hetuar një sërë çështjesh të rëndësishme.
Ndër dosjet më të njohura që ai ka hetuar është ajo e inceneratorit të Elbasanit, ku ka firmosur urdhra arresti për Mirel Mërtirin, Stela Gugalljan dhe Klodian Zoton, si dhe ka ndarë hetimin për ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj. Braho ka hetuar gjithashtu dosjen “5D”, me dërgimin në gjyq të disa ish-drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, si dhe çështjen “Toyota Auris”, e cila vijon me disa fraksione hetimore.
Gjithashtu, ai është pjesë e grupit të prokurorëve që kanë firmosur dosjen ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i akuzuar për “shpërdorim detyre” në lidhje me ngjarjen tragjike të Gërdecit, aktualisht në proces gjyqësor.

