Gazetarja e kronikës, Klodiana Lala, tha në “A Show” se në bisedat e përgjuara të Erion Veliajt nga qelia e paraburgimit në Durrës, ndër të tjera, kryebashkiaku i Tiranës flet edhe për hakmarrje personale ndaj një ministri që nuk e kishte mbrojtur pas prangosjes dhe burgosjes së tij.
“Pas izolimit të Veliajt ka pasur dyshime të arsyeshme se brenda institucionit ishte futur në mënyrë të paligjshme një celular. Është vendosur kontroll nga Drejtoria e Burgjeve dhe Ministria e Drejtësisë, dhe grupi i gatshëm ka shkuar në qelinë e Veliajt duke e ‘përmbysur’ atë.

E vetmja mundësi kontakti me familjen, avokatin dhe njerëzit e besuar ishte kabina telefonike brenda paraburgimit. SPAK ka marrë autorizim të veçantë për të përgjuar vëllain, bashkëshorten dhe njerëzit që mund të flisnin me Veliajn. Fokusi nuk ka qenë historia mediatike, sikurse është tentuar të trajtohet, por fakti që kishte dyshime të arsyeshme se Veliaj intimidonte dëshmitarët. Dhe ai flet qartë për ministrin që ‘ma bëri kështu e s’më doli në mbrojtje, s’e fal, për 7 breza do ta shkrij’, etj.” – u shpreh Lala.