Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Kjo Javë”, ka dhënë deklarata të forta lidhur me hetimet për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), duke e cilësuar këtë institucion si të ndarë dhe të drejtuar nga banda kriminale. Ajo theksoi se çështja e zhdukjes për 10 orë të zyrtarit Daniel Shima, në muajin gusht, përbën një pikë kyçe për të kuptuar mënyrën se si operon krimi i organizuar brenda këtij institucioni.
Sipas Lalës, ish-drejtoresha Mirlinda Kaçanaj është pyetur nga Prokuroria e Posaçme si person që ka dijeni, ndërsa dosja e AKSH-it konsiderohet një nga më të rëndat dhe voluminozet në SPAK. Hetimet kanë nxjerrë në pah perceptimin e lartë për korrupsion dhe ekzistencën e tenderëve të paracaktuar.
“AKSH-i është një institucion i ndarë në banda dhe i drejtuar nga bandat kriminale”, u shpreh gazetarja, duke nënvizuar se kontrolli mbi serverët dhe sistemet shtetërore ka qenë gjithmonë i lakmuar nga eksponentët e krimit të organizuar.
Ajo shtoi se hetimet po zhvillohen edhe me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, pasi pas dokumenteve sipërfaqësore fshihen shumë elementë më të thellë. Një sërë sekuestrimesh të celularëve, kqyrje dokumentesh dhe marrje dëshmish janë kryer gjatë vitit të fundit.
Lala riktheu në vëmendje edhe zhdukjen misterioze të Daniel Shimës për 10 orë, duke theksuar se edhe pse çështja konsiderohet e mbyllur nga drejtësia, për të mbetet “themra e Akilit” e gjithë dosjes së AKSH-it.
“Unë nuk besoj se ai u largua me dëshirë, as që pati konflikt me partneren. Jam e bindur se Daniel Shima është mbajtur nën presion nga persona që kanë pasur interesa të drejtpërdrejta në AKSH”, deklaroi ajo.

