Presidenti i Federatës Zvicerane, Peter Knabel, është shprehur i shqetësuar për të ardhmen e përfaqësueses helvetike, pas largimit të dy talenteve Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari, të cilët zgjodhën të luajnë për Kosovën. Ai tha se federata bëri maksimumin për ta bindur Avdullahun të mos largohej, por përpjekjet rezultuan të pafrytshme.
Kosova ka fituar ndjeshëm në cilësi gjatë muajve të fundit, duke siguruar dy nga talentët më premtues të Hoffenheim-it. Performancat e shkëlqyera të ekipit kosovar sollën edhe arritjen historike të play-offit të Botërorit 2026, gjë që ka ndikuar në rritjen e interesit të lojtarëve me prejardhje kosovare për t’iu bashkuar vendit të origjinës.
Duke komentuar situatën, Knabel theksoi se rasti i Avdullahut tregon se Federata Zvicerane nuk mund të ketë gjithmonë kontroll mbi vendimet e futbollistëve të rinj.
“Provuam gjithçka. E vizitova Leon Avdullahun në Hoffenheim së bashku me Murat Yakin, por ai e kishte marrë vendimin”, u shpreh ai.
Presidenti zviceran shtoi se sfida kryesore e sotme qëndron te konkurrenca në rritje mes federatave evropiane për talentet e reja, duke theksuar se Zvicra duhet të përgatitet për një realitet të ri në futbollin modern.

