Telenovela politike që u ndez rreth një karrigeje në Kuvend, e dhuruar simbolikisht nga Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani, mori fund këtë të hënë, më 25 gusht, në sallën e Kolegjit Zgjedhor. Pas javësh të tëra debatesh, ankimimesh dhe interpretime ligjore mbi rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit, gjykata zgjedhore dha vendimin përfundimtar: mandati i vetëm i fituar nga subjekti Nisma Shqipëria Bëhet i takon Ana Dajkos.
Adriatik Lapaj, i cili kryesoi listën e hapur të Shqipëria Bëhet, kërkoi në gjykatë që mandati të transferohej tek ai, duke rrëzuar vendimmarrjen e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS). Në argumentimin e tij, Lapaj këmbënguli se vullneti i qytetarëve ishte shprehur qartë përmes votave të listës së hapur, të cilën e udhëhiqte vetë. Por Kolegji Zgjedhor, pas shqyrtimit të ankimimit, e rrëzoi kërkesën e tij, duke vulosur se mandati i takon Ana Dajkos, e para në listën e mbyllur të Nismës.
Ky vendim i jep fund një beteje politike që prej muajsh ka prodhuar tensione brenda dy lëvizjeve politike, Shqipëria Bëhet e drejtuar nga Lapaj dhe Nisma Thurje e drejtuar nga Endri Shabani, të cilat garuan në zgjedhje nën të njëjtën ombrellë, por me pritshmëri të ndryshme mbi mënyrën e ndarjes së mandateve.
Në fund, Kolegji Zgjedhor vendosi qartë: mandati nuk do të kalojë tek Lapaj, por do t’i shkojë Anës Dajko, duke e bërë atë deputeten e parë që hyn në Kuvend nga radhët e Nismës.