Komandanti i forcës paqeruajtëse KFOR, gjeneral major Özkan Ulutaş, deklaroi se NATO nuk ka marrë asnjë vendim për largimin ose reduktimin e trupave amerikane nga Kosova. Ai theksoi se KFOR-i do të ruajë praninë e tij në urat kryesore dhe do të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth, për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
Në një intervistë për RTV21, gjenerali Ulutaş sqaroi se KFOR-i nuk ka qenë pjesë e asnjë negociate të pretenduar për largimin e sulmuesve nga Kosova në vitin 2023, por ka ndërhyrë për të rivendosur sigurinë në zonë. Ai theksoi se FSK nuk mund të veprojë në veri të vendit pa koordinim me KFOR-in.
Gjenerali rikujtoi rolin e misionit sipas Rezolutës 1244 të OKB-së, duke shtuar se NATO vazhdon të kërkojë llogaridhënie për sulmet ndaj forcave paqeruajtëse në 2023 dhe mbështet hetimet e autoriteteve për krimet e kryera. Ai nënvizoi se KFOR-i mbetet vigjilent për çështjet e sigurisë, duke ruajtur një prezencë të dukshme dhe fleksibile për të parandaluar eskalimin e tensioneve dhe për të ofruar hapësirë për dialog politik midis Prishtinës dhe Beogradit.
Gjeneral Ulutaş përmendi gjithashtu shqetësimet për armë dhe municione të gjetura në veri dhe pjesë të tjera të Kosovës, duke theksuar se kjo nuk nënkupton një konflikt të afërt, por kërkon vigjilencë të vazhdueshme. Ai përfundoi duke theksuar se stabiliteti rajonal mbështetet mbi diplomacinë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

