Kombëtarja shqiptare hyn në javën më të rëndësishme të fazës kualifikuese për Kupën e Botës. Kuqezinjtë do të luajnë më 13 nëntor në transfertë kundër Andorrës dhe tre ditë më vonë, më 16 nëntor, do të përballen me Anglinë në stadiumin “Air Albania”, në atë që shihet si një nga ndeshjet më të forta të këtyre kualifikimeve.

Një fitore ndaj Andorrës, e shoqëruar me triumfin e Anglisë kundër Serbisë, mund ta çojë Shqipërinë zyrtarisht në fazën “Play Off” të Botërorit, duke e afruar me një mundësi historike për pjesëmarrje në SHBA.

Grumbullimi në Barcelonë

Skuadra është grumbulluar në Barcelonë, ku po zhvillon fazën përgatitore para sfidës së parë. Pjesa më e madhe e lojtarëve kanë mbërritur pas mbylljes së angazhimeve me klubet e tyre, ndërsa pjesa e mbetur pritet t’i bashkohet sot në mëngjes, në mënyrë që grupi të jetë i plotë nën urdhërat e trajnerit Silvinjo.

Gjatë pasdites, Kombëtarja është parashikuar të zhvillojë seancën e parë stërvitore. Përjashto mungesën e pritshme të Marash Kumbullës, pjesa tjetër e skuadrës është në gjendje të mirë fizike dhe gati për ndeshjen e 13 nëntorit.

Përgatitjet dhe programi i udhëtimeve

Kuqezinjtë do të qëndrojnë në Barcelonë deri një ditë para takimit, për shkak të afërsisë me Andorrën. Ata do të udhëtojnë drejt vendit të sfidës në prag të ndeshjes, ku do të zhvillojnë stërvitjen e fundit dhe konferencën për shtyp. Pas përballjes, ekipi do të kthehet në Tiranë për të nisur menjëherë përgatitjet për sfidën e dytë të kësaj faze, atë kundër Anglisë.

Skenari i kualifikimit

Shqipëria ka mundësi të sigurojë kualifikimin në fazën “Play Off” edhe para ndeshjes me Anglinë. Nëse kuqezinjtë marrin tre pikë ndaj Andorrës dhe Anglia mposht Serbinë në Londër, atëherë diferenca mes Shqipërisë dhe Serbisë do të shkëputet në 4 pikë, teksa mbetet vetëm një ndeshje për t’u zhvilluar.

Në këtë skenar, ndeshja e 16 nëntorit në “Air Albania” do të shërbente për rezultatin dhe klasifikimin final, ndërsa Serbia do të kishte vetëm një shans të fundit në shtëpi ndaj Letonisë.

Silvinjo publikoi ditë më parë listën me 25 lojtarë të thirrur për këto dy sfida, ndërsa atmosfera në grup shihet pozitive, e qetë dhe me përqendrim maksimal tek objektivi.

Shqipëria kërkon të bëjë historinë. Andorra është sfida e parë. Anglia, ajo që mund të vulosë një kapitull të ri.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *