Kompania “Balfin Group” e drejtuar nga biznesmeni, Samir Mane po hetohet për shkelje të procedurave për blerjen e aksioneve të Ferronikelit në Kosovë.
Autoriteti i Konkurencës në Kosovë njoftoi nisjen e hetimit për procedurat ligjore që parashikojnë paraqitjen e një kërkese paraprake mbi synimet e përqendrimit të investimit në sektorin e metaleve dhe minierave, kërkesë e cila pretendohet se nuk është dorëzuar nga kompania e Samir Manes.
Mosparaqitja e një kërkese të tillë përbën shkelje ligjore dhe cënim të rregullave të konkurencës.
“Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovës Njofton opinionin, se me datën 17.03.2023 dhe 22.03.2023, Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës ka mbajtur mbledhje dhe me këtë rast ka dalë në konkluzionin për fillimin e procedurës hetimore kundër ndërmarrjes Balfin Group Sh.p.k, lidhur me mosparaqitje të kërkesës për lejimin e përqendrimit mbi shitblerjen e aksioneve të NKL Limited – NewCo Ferronikeli Complex LLC, në sektorin e metaleve dhe minierave. Autoriteti ka analizuar kushtet e tregut të konkurrencës dhe duke vepruar sipas detyrës zyrtare, vlerësimin e përqendrimit ku pjesëmarrësit në përqendrim nuk parashtrojnë kërkesë për lejimin e përqendrimit nga neni 13. Autoriteti njofton se, Transaksionet/blerjet nëse janë realizuar, pa e dorëzuar njoftimin e detyrueshëm për qëllimin e përqendrimit sipas Ligjit 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, paraqet formë të kufizimit ose shtrembërimit të konkurrencës nga ndërmarrjet në territorin e Republikës së Kosovës ose jashtë territorit, nëse veprimet e tyre kanë efekt në tregun e Republikës së Kosovës. Kontrolli i bashkimeve synon të parandalojë shtrembërimet e konkurrencës dhe synon të parandalojë efektet anti konkurruese përpara se ato të ndodhin (ex ante). Autoritetit njofton se, Fillimi i procedurës për hetimin e çrregullimit të konkurrencës, ka për qëllim sqarimin e fakteve dhe në këtë mënyrë vërtetimin e shkeljes së pretenduar.”- thuhet në njoftimin e Autoritetit të Konkurencës.