Nga Hysamedin Feraj
Europianët,
︎Nga njëra anë kërkojnë që Kosova të bëj përparim në zbatimin e ligjit, nga ana tjetër kërkojnë të mos zbatohen ligjet, ose së paku të shtyhet zbatimi i ligjeve!
Nga njëra anë, po të mos zbatohen ligjet Kosova klasifikohet në vendet problematike lidhur me demokracinë dhe të drejtat e qytetarëve, nga ana tjetër po të zbatohen ligjet klasifikohet në vendet problematike… për çfarë?
︎Nga njëra anë kërkojnë barazinë e qytetarëve, nga ana tjetër kërkojnë qytetarë të privilegjuar.
Nga njëra anë kërkojnë të luftohet korrupsioni sipas ligjit, nga ana tjetër kërkojnë korruptimin (prishjen) e idesë së drejtësisë dhe të vetë ligjit, teksa kërkojnë që ligji dhe e drejta të mos vlejnë barabar për të gjithë.
︎Nga njëra anë na kërkojnë, madje detyrojnë që Kosova me ligj kushtetutes të jetë e gjitha vend multietnik, nga ana tjetër kërkojnë oaze një etnike dhe, më tej privilegje një etnike në institucionet ligjbërës e ligjzbatues në gjithë Kosovën.
Si rezultat, nga njëra anë kërkuan dhe i dhanë fund statusit të shqiptarëve si qytetarë të dorës së dytë në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë e më vonë të Serbisë, nga ana tjetër kërkuan dhe u dhanë shqiptarëve statusin e qytetarëve të dorës së dytë në Republikën e Kosovës.
Nga nëra anë kërkojnë normalizimin e gjendjes demokratike, nga ana tjetër kërkojnë shpalljen e përditshme të gjendjes së jashtëzakinshme që pezullon gjendjen dhe të drejtat demokratike.
Vetë shqiptarët tani janë konfuzë dhe të ndarë sipas kësaj skizofrenie të kërkesave europiane:
Shumica në pozitë për zbatimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, barazinë e qytetarëve dhe respektimin e të drejtave të pakicave etnike.
Pakica, në opozitë me të, për shtyrjen e vazhdueshme të zbatimit të ligjeve, për mosbarazinë e qytetarëve dhe për pakica etnike të privilegjuara si qytetarë të dorës së parë.
Shumica u qëndron vlerave europiane, pakica i qëndron kundërtisë me vlerat dhe përputhjes me taktizimet për si të shkelen ato vlera.
︎Shumica konsideron mençuri polititike europiane vlerat (iluministe) europiane, pakica konsideron mençuri politike aftësinë e gjetjeve taktike për shkeljen vlerave europiane.
Shumica në pozitë që e do Europën e vlerave, pakica në opozitë që e do burokracinë eurpiane që i dobëson dhe mpakë ato vlera.
Shumica në pozitën për stabilizimin e gjendjes demokratike, pakica për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme sapo mbaron afati i asaj që ishte vendosur më parë.
Shkurt:
Shumica për demokracinë afatgjatë, pakica për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Këto janë pak nga lista shumë më e gjatë e kundërtive që bartë konfuzion i gjerë europian, me rezultat një konfuzion lokal në Kosovë.