Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca kritikoi Bashkimin Evropian për njëanshmëri në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha gjatë një deklarate në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë se Kosova nuk do të pranojë çdo marrëveshje të nënshkruar në të kaluarën me Serbinë.
Konjufca shtoi se Kosova nuk do të lejojë bosnjëzimin e vendit përmes formimit të Assosacionit njëetnik të komunave me shumicë serbe.
“Jo të gjitha marrëveshjet mund t’i pranojmë, ne e analizojmë, kryeministri e ka ekipin e vet, dhe vetë atje është për këtë punë që t’i analizojë nëse ato janë në interes të Kosovës apo jo… Ne nuk do të lodhemi kurrë që edhe më tutje të argumentojmë me Bashkësinë Ndërkombëtare që ky është një pozicionim prej të cilit Kosova nuk mund të heqë dorë. Po të hiqte dorë, mund të qojmë në bosnjëzimin e Kosovës. Populli e ka votuar Lëvizjen Vetëvendosje përpos arsyeve të tjera, unë mendoj që njëra prej arsyeve kryesore, qëndrore pse Lëvizja Vetëvendosje ka fituar para dy vjetëve, me e stopu këtë proces të bosnjëzimit të Kosovës.” – u shpreh ai.