Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Kosova nuk mund t’i besojë Serbisë pa një llogaridhënie të qartë për sulmet e ndodhura dhe pa garanci konkrete për ndalimin e agresionit.
Duke folur për zhvillimet e fundit, ai theksoi se shteti i Kosovës e konsideron të papranueshme mbrojtjen që, sipas tij, Serbia u ka bërë autorëve të sulmit terrorist në Banjska në shtator të vitit 2023.
Sipas Konjufcës, raportet ndërkombëtare nuk e trajtojnë sa duhet këtë ngjarje dhe përgjegjësinë që duhet të mbahet për të.
“Si Kosova ashtu edhe Bashkimi Evropian kanë bërë thirrje për vendosjen e llogaridhënies për këto tri vjet. Beogradi i ka trajnuar dhe tani i mbron kryerësit e këtij akti terrorist,” u shpreh ai.
Ministri shtoi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ndodhë pa përgjegjësi të qartë për ngjarjet dhe pa garanci se veprime të tilla nuk do të përsëriten.
Ai kritikoi gjithashtu raportimin e misionit të UNMIK, duke thënë se do të ishte më i balancuar nëse do të pasqyronte më qartë zhvillimet në të gjithë rajonin dhe qasjen që ai e cilësoi autoritare dhe destruktive të Beogradit.
Konjufca theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin, duke adresuar të gjitha kërcënimet në veri të vendit dhe duke krijuar një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët.

