Nga Sebastian Zonja

Një mësim nga Polonia për të djathtën tonë në Shqipëri. Këtë të dielë polakët shkuan drejt kutive të votimit dhe zgjodhën me rezultat të ngushtë në postin e presidentit historianin konservator Karol Navrocki. Nuk është ndonjë ndryshim i madh, sepse edhe presidenti i shkuar ishte konservator. Por është me rëndësi fakti se si konservatorët ruajtën fuqinë e tyre, forma e re ligjërimore që ndërtuan dhe fushata që kryen. 

Navrocki ishte kandidat i pavarur, mbështetej nga partia “Ligj dhe Drejtësi” (PiS) dhe fitoi me 50.89% të votave. Në garë përballë tij ishte Rafall Trzaskovski, kryebashkiaku liberal i Varshavës dhe aleat i kryeministrit Donald Tusk. Zgjedhjet u ndoqën me vëmendje nga gjithë vendet evropiane. Polonia ka marrë rëndësi të veçantë me fillimin e luftës në Ukrainë; ka pozicionim të qartë në frontin lindor të NATO-s, ndërsa është aleate e palëkundur amerikane duke parë historinë e saj që e pëson sa herë fuqizohet Gjermania apo Rusia. 

Analizat e medieve polake shkruajnë se këto zgjedhje nxorrën në pah ndarjet e thella mes zonave urbane (të cilat janë liberale) dhe rajoneve rurale (që janë konservatore). Duke qenë se narrativën liberale e dëgjojmë pak më shpesh, po sjellim më poshtë narrativën konservatore me të cilën fitoi kandidati polak. 

Navrocki e vuri theksin te sovraniteti polak, duke kundërshtuar burokracinë e Brukselit. Ky qëndrim është në sintoni me votuesit konservatorë polakë, të cilët janë skeptikë ndaj BE-së. Po ashtu, vret veshin edhe të shumë votuesve të tjerë të cilët thonë – ne votojmë për ndryshime politikash, por burokratët nuk lëvizin nga istikami i tyre. Kësisoj, burokracia është kthyer në një lloj problemi për shumë vende. 

Një tjetër pikë që ai solli në diskurin publik është tradicionalizmi polak, rrënjosur në katolicizëm. Ndërsa filloi të promovonte fenë në sferën publike, analistët shkruajnë se duke kopjuar Donald Trampin, Navrocki tërhoqi votuesit konservatorë mbi të cilët Kisha ka ndikim të madh. Argumenti që ai përdori kundër politikave liberale LGBT dhe për abortin kishte të bënte me përforcimin e vlerave konservatore në shoqërinë polake. Edhe kjo është pikë interesante, sepse feja përherë e më shumë po përdoret si makiazh për pushtetin, jo për t’i thënë të bardhës të bardhë, e të zezës të zezë. Këto iftaret e Erion Veliajt dhe Edi Ramës, vajtjet në Kishë dhe përvetësimi i klerit në funksion të makinerisë së propagandës kanë irrituar qytetarët. E thënë më thjeshtë – nëse as hoxha e prifti s’ja thotë dot se këtu e ke gabim, kush do ja thotë? 

Ndaj, në shumë vende ka nisur të ndërtohet dhe qartësohet një mesazh fetar që del jashtë mureve të aparatit dhe nacionalizmit shtetëror, për të përshkuar krejt njerëzimin, siç është mesazhi i vërtetë i Librave të Shenjtë dhe Profetëve. 

Ngjashëm me presidentin amerikan Donald Tramp, edhe kandidati polak përdori sloganin “Polonia e Para” – politika ekonomike dhe sociale që favorizojnë polakët. 

Sa i përket luftës në Ukrainë, të dyja palët janë në mbështetje të Kievit, ndryshe nga e djathta orbaniste që favorizon një qasje tjetër – mirë me Kinën, mirë me Rusinë. Gjatë fushatës, Navrocki kundërshtoi integrimin e shpejtë të Ukrainës në NATO dhe BE. Sipas sondazheve të brendshme të partisë konservatore polake, votuesit e saj ishin të shqetësuar për sigurinë kombëtare dhe barrën ekonomike të luftës dhe refugjatëve, ndaj duhej ndryshuar disi qasja, duke u përafruar me SHBA-të. Për të shkuar në këtë pikë, ai shkoi dhe vendosi kruora me lule në njërin prej monumenteve që përkujton polakët e vrarë nga nacionalistët ukrainas gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në publik shpërthyen polemikat dhe votuesit nacionalistë polakë u grupuan te partia e tyre.

Ngjashëm me liberalët, edhe konservatorët duan ushtri të madhe dhe profesionale. Presidenti i ri tha se do ta çojë në 300,000 numrin e ushtarëve, do forcojë aleancën me SHBA-në dhe do ushtrojë kontroll më të rreptë kufitar. Aktualisht, SHBA-të kanë të stacionuara 10,000 trupa në Poloni. 

Si historian profesionist, në pozicionin e kreut të Institutit të Kujtesës Kombëtare, Navrocki promovoi interpretimin nacionalist të historisë polake, duke theksuar narrativat antikomuniste dhe vuajtjet e Polonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Votuesit e djathtë u mblodhën menjëherë afër tij. 

Nuk dihet sa do të realizohen, por ai premtoi edhe zhvillimin e potencialeve të energjisë bërthamore dhe zgjerimin e porteve të Baltikut, për ta pozicionuar Poloninë qendër rajonale të zhvillimeve në Lindje të Evropës. 

Duke qenë se Polonia ka pasur hov ekonomik vitet e fundit dhe bum në sektorin e ndërtimit, presidenti i ri premtoi se pronarët e tri ose më shumë apartamenteve, me përjashtim familjet me disa fëmijë, do taksohen më shumë se aktualisht. Sipas analistëve, ky veprim vjen për të adresuar pabarazitë në strehim dhe për të tërhequr votuesit nga klasa punëtore. 

Çfarë kuptojmë nga këto pika?

Konservatorizmi shqiptar ka trajtën e vet. Ne jemi vend monoetnik me emigracion të paktë. Trajtat e nacionalizmit i kemi ndryshe nga fqinjët dhe kemi shkëputur furnizimin e konservatorizmit nga feja për shkak të së shkuarës zogiste dhe komuniste. Një faktor tjetër është popullsia më e madhe rurale se ajo urbane. Debati pro dhe kundër Bashkimit Evropian është paradoksal. Në zonat rurale janë pro, në zonat urbane ka zëra kundër. Zërat kundër janë interesantë, se fillojnë që nga ata që argumentojnë qartë mbi pasojat negative, deri te konspiracionistët me Soros dhe Iluminati. Kësisoj, kuptojmë se përkthimi shabllon i konservatorizmit trampist është marrëzi. E pamë gjatë kësaj fushate se sa pa formë doli fushata e përshtatur me “Google Translate”. 

Kandidati në Poloni përfaqësonte shpresë për të shkuar diku dhe frymë. Sali Berisha dhe PD-ja e sotme përfaqëson historinë ku kemi qenë. 

Në pamundësi që Partia Demokratike të ndërtojë një vizion për të ardhmen, konservator apo të moderuar, do bjerret përditë e më shumë në historitë e vitit 1990. Si sot 35 vjet më parë, Berisha mban afër vetes ata që thotë se ishin guximtarë për të rrëzuar diktaturën. Ndërkohë, misioni i sotshëm është tjetër – pushteti është kalcifikuar dhe duhet një lloj tjetër guximi, të thuash në publik se do zgjidhësh problemet që kanë shkaktuar ato emra që Sali Berisha dhe kryesia e tij e ngushtë nuk guxojnë t’i përmendin. Vetëm kështu ngjit fushata anti-korrupsion. Si ka mundësi që fushata anti-korrupsion ngjiti në Mal të Zi, në Bullgari e të tjerë, që kanë nivele korrupsioni të ngjashme me ne, por këtu s’ngjit? Sepse kur hajduti bërtet kapeni hajdutin, askush s’e beson. 

Partia Demokratike në Shqipëri s’ka asnjë akuzë reale për sektorin e ndërtimit dhe çmimet e papërballueshme për shtresën e mesme. Edhe kur bzan, janë akuza në ajër. 

Mësimi që na vjen nga Varshava është se kemi dy lloje të djathtash sot në Evropë – njëra që pëlqen aleancë më të ngushtë me Kinën dhe Rusinë (Orban – Le Pen) dhe tjetra transatlantike (Meloni – Navrocki). Ne e kemi të qartë se jemi në krahun e aleancës transatlantike. Edhe në këtë pikë, fatkeqësisht, Edi Rama ka lidhje më të forta me të djathtën evropiane, se Partia jonë Demokratike. Pse? Sepse Sali Berisha me kapojt e vetë nuk lejon askënd që ka mendim dhe di gjuhë të huaja të bëjë prokopi në atë Parti. Ose do jenë të gjitha kontaktet në funksion të zgjidhejes së problemeve të Sali Berishës dhe familjes, ose ul kokën dhe hesht. 

Ndryshe nga e djathta polake që kërkon të vijë në pushtet, e djathta jonë ka rënë pre e konspiracioneve dhe luftës së brendshme. Në vend se të mund Edi Ramën, merret gjithë ditën si t’i mbush mendjen shqiptarëve se Xhorxh Sorosi kontrollon Amerikën dhe se si të asgjesojë nga skena politike partitë e reja. 

Së shpejti janë zgjedhjet vendore në Tiranë. Me gabimet e njëpasnjëshme (ikja nga reforma territoriale; mospjesëmarrja në zgjedhjet vendore dhe djegia e mandative të deputetit) për hir të pushtetit të Sali Berishës, Ilir Metës dhe Lulzim Bashës, është çudi se si PD-ja mbetet ende më këmbë. Këtë meritë e kanë demokratët, se të jetë për lidershipin shihet qartë se ku e kanë degdisur këtë subjekt politik. Meqë vijnë zgjedhjet vendore, gjetja e një kandidati si ky presidenti në Poloni (ose vjen nga Amerika, ose s’ka akuza për korrupsion) si edhe izolimi i problemeve të Berishës vetëm te Berisha, jo tek gjithë opozita, është strategji interesante për t’u parë. 

Deri ditën që Partia Demokratike do kuptojë se Sali Berisha i përket historisë dhe ka djem të rinj e vajza të reja që janë të afta të ndërtojnë diskur të ri, t’i japin frymë të re, të bëjnë opozitë të denjë, do vijojmë të merremi me debatet shterpë të largimit apo qëndrimit të Berishës, figura e të cilit tashmë s’ka më asnjë peshë për dekadën e ardhshme të historisë politike shqiptare.

By Editor