Nga Arbër Zaimi
Përzgjedhja e Vance nga Trump, si kandidat për zv.president, ka të bëjë edhe me dëshirën për ta zgjeruar potencialin elektoral.
Vance është 40 vjeçar, i pari kandidat i lindur në vitet ‘80. Kjo, shpresohet të luajë rol në këto zgjedhje ku debati kryesor është mes 80-vjeçarëve.
Mandej, Vance ndoshta mund ta plotësojë disi figurën e përfaqësimit klasor. Krejt ndryshe nga Trump, Vance vjen nga fëmijëri e vështirë, me prindër të divorcuar, baba i larguar, nënë e alkoolizuar, i rritur kryesisht nga gjyshërit, në kushte të pafavorshme ekonomike. Qëndrimet e tij politike përmbajnë disa politika sociale interesante për shtresat e ulëta popullore dhe punëtorët, gjë tipike për ultrakonservatorët siç është parë së fundmi në Hungari, Poloni etj.
Veç synimit të përfaqësimit të një shtrese të caktuar, Vance synon edhe ta mobilizojë atë shtresë, përmes sulmit të “armikut të përbashkët”: teknokratëve të privilegjuar nga universitetet e shtrenjta, korporatave monopoliste, emigrantëve pa letra, liberalëve të fokusuar te probleme grupesh të vogla por jo te ato të shoqërisë së gjerë, prodhuesve të armëve që lobojnë për të mbajtur gjallë konfliktet, marrëveshjeve të tregtisë së lirë që largojnë vendet e punës, etj.
Mospajtimet e Vance me Trump në të shkuarën, si dhe qëndrimet deri diku të ndryshme për shumë çështje, nuk shihen si problem por si shans. Ato zgjerojnë çadrën elektorale, u japin shpresë votuesve potencialë se nuk qeveris vetëm një person apo një ideologji.
Veç kësaj, Vance plotëson gjeografikisht paketën Trump, duke qenë se ish-presidenti vjen nga qarqe kozmopolite të Amerikës atlantike, ndërsa kandidati për zëvendës vjen nga mesi i kontinentit.
Mund të ketë luajtur rol edhe një konsideratë etnike. Teksa Biden është irlandez dhe mund të mobilizojë diasporën irlandeze me prirje republikane, Vance është me prejardhje nga skocezët e vendosur në Irlandën e Veriut si kolonë dhe ndoshta mund të mobilizojë shumë amerikanë me prejardhje britanike apo irlandezo-veriore që janë kundër bashkimit të mundshëm të Irlandës. Të tilla konsiderata etnike në të shkuarën kanë treguar se funksionojnë, psh. shumë serbë kanë mbështetur Trumpin për shkak të angazhimit proserb të Grenellit.
Duke qenë Vance i martuar me një grua të religjionit hindu e me prejardhje nga India, mundet gjithashtu të afrojë votuesit e lëkundur prej kësaj demografie, ndoshta edhe duke marrë ca elektorat prej zv.presidentes aktuale K. Harris.