Nga Arbër Zaimi
Konspirativiteti sot, me ndihmën e rrjeteve sociale dhe të mediave është shndërruar në mjet për kontrollin e masave – një lloj paranoje laboratorike e industriale.
Funksionon pak a shumë si puna e fjalëkryqeve apo rebuseve, gjëegjëzave. U jepen masave “të dhëna” herë të pamjaftueshme e herë të tepërta, dhe ato fokusohen me vendosjen e këtyre të dhënave në një mozaik të madh, i cili në fund do të fitojë kuptim dhe do t’i pajisë me dije shpëtimtare “të mençurit”, ndërsa indiferentët të cilët janë “dele të mashtruara” do ta hanë.
Por “të mençurit”, “të pamashtruarit” në fakt përfundojnë të varur pas zgjidhjes së këtyre enigmave, si te filmi “Fjalëkryqi” i humoristit, Cekes. Nuk e kuptojnë se nxënësi fort i talentuar që zgjidh problema matematikore që i kanë vënë në libra të tjerët nuk është bash matematikan, matematikan madje nuk është as ai pedagogu didakticien që i bën librat, matematikan është ai që i shtron së pari herë ato problemat që më pas detyrimisht duhen përfshirë në tekste. Pra ai që, me përgatitjen sistematike që ia mundëson qëndrimin mbi dijen kolektive, shtron pyetje vërtet të reja.
Argjentinasi me nam, Borgesi, ka një tregim që e shpjegon këtë logjikë të kontrollit përmes shtrimit të problemeve dhe enigmave. Është “Vdekja dhe kompasi”, ku një inspektor policie, Erik Lonroti, duke hetuar tre vrasje e disa letra të lëna në vendin e vrasjeve, zë t’i interpretojë të dhënat sipas kabalas dhe, pas shumë studimeve të teksteve mistike, parashikon saktësisht se ku e kur do të ndodhë vrasja e katërt. Shkon atje i qetë duke menduar se do kapë kriminelët, por përfundon i kapur prej tyre. Ata, para se ta vrasin, i tregojnë se gjithë skema kabalistike, të gjitha simbolikat, simetritë dhe mesazhet misterioze që ky i kishte marrë si indicie, ishin përgatitur me kast, që inspektori të fillonte ta zgjidhte rebusin, dhe të shkonte vetë në pritën që i kishin ngritur. Labirinti ka vetëm një dalje, por jo doemos të nxjerr në liri – lë të kuptohet Borgesi.
Prandaj të menduarit kritik, të menduarit revolucionar, kurrë nuk ka qenë konspirativ. Teoria kritike gjithnjë e ka parë ja me përbuzje ja me mëshirë “teorinë” konspirative. Paçka se kjo e fundit del përnatë në media e në podiume, ndërsa të parës as në auditoriume nuk i ka mbetur shumë vend.