Në 5 mars 1945, pas torturash çnjerëzore, pushkatohet nga “fitimtarët” – Dom Lazër Shantoja (1892-1945), i akuzuar si kolaboracionist dhe antijugosllav. Ai ishte antar i Akademisë të Shqipërisë gjatë kohës të pushtimit italian dhe ky fakt konsiderohej si kolaboracionizëm, ndërsa antijugosllavizmi ishte bindja e tij e palëkundur, e argumentuar në shumë prej shkrimeve të tij publicistike se – serbët ishin armiku më i madh historik i kombit shqiptar. Intelektual i klasit të parë, prift katolik shkodran, publicist, përkthyes në shqip i Gëtes dhe Shilerit, njohës me themel i disa gjuhëve të huaja, erudit, antikomunist.
Po ju sjell për lexim një shkrim të tij, botuar në gazetën e kohës “Tomori”, në 6 mars 1941, me mbresat dhe përshtypjet e tij nga qyteti i Korçës, që e kishte vizituar disa herë, duke e cilësuar atë me shumë dashuri – “Vjolina e bukur e Jugës”
“Korça ishte qytet! Tekembramja nji qytet në Shqipnì! Shetitore të gjana, rruga e rrugica të drejta, shtëpija të bukura si vila, pomendore e lulishta. Nji pastërti të pakundshoqen në tanë Shqipnìn. Ajri i kulluet të prehte hundët dhe të freskonte mushknijtë. Më dukej se ishem në nji qytet t’Engadinës. Malet përreth cikalue me borë më kujtojshin pikturat e Segantinit. U enthuzjazmova për Korçë. Aty bâna edhe nji zbulim t’interesantshëm. Shkova nji ditë me pamun Motrat Stigmatine. Më përsillte nji çupkë korçare.
Më pyet: “A i keni motra?” “Jo, – i përgjegji, – nuk i kam motra, por kështu i quejmë na.” Më pyet prapë çupa e vogël, çiçeronka e ime: “Po prej nga jeni ju?” I përgjigjem: “Prej Shkodre!” E ajo me serjozitetin mâ të madh: “Eh! Prandaj nuk dini me folë shqip…!” Si mos me qeshë? Lotët me duelën prej gazit.
Kam bâmun disa vizita në Korçë. Ndër shtëpija kristjane e myslimane. Kam kaluemun aty disa orë të paharrueshme. Pritje e përzemërt, e qeshun, bisedime t’interesantshme, atmosferë elegance e qytetnimi. Djelm të rì qi kanë frekuentue universitete, zonjusha qi kanë krye konservatoriume të flasin mbi çashtjet mâ djegse të ditës, mbi problemet mâ t’interesantshme të jetës. Me nji zonjushë korçare nuk ke frikë se bân nji gaffe me folun, bje fjala, mbi kromatizmin e Debussy-it apo mbi librin e fundit të Daniel Rops-it. Janë “à la page”. Korça m’âsht pëlqye tepër.
Kam dalun prej Korçe tue bluemun nëpër mend lamshin e nji përralle të Hoffmann-it. Ai shkruen për nji shpirt qi rrinte ndryemun në nji vjolinë.
Korçë, vjolinë e bukur e Jugës, cili âsht shpirti i yt…?”
PS. Shkrimi është në original, në dialektin gegë dhe paraqet interes gjuhësor dhe artistik. Ndërsa foto është Akademia e Shqiperisë, pozuar në Tiranë në vitin 1942. Për kuriozitet: Nga e majta Vangjel Koça, Aleksander Xhuvani, Anton Paluca, At Anton Harapi, Xhevat Korça, Mustafa Kruja, Ernest Koliqi, Dhimitër Berati, Zef Valentini, Karl Gurakuqi, Ekrem Vlora, Nikola la Ruso, Dom Lazër Shantoja. Ajka e inteligjencës të kohës.
Përgatiti: Klodi Stralla

