Nga Sebastian Zonja
Agjencia Kombëtare e Sigurisë së Informacionit (AKSHI) ka në dorë të gjitha të dhënat tona – tapi, pasaporta, numra telefoni, adresa…
A mendoni ju se është cënuar siguria kombëtare, duke qenë se SPAK-u thotë se brenda këtij institucioni vepronte një grup i strukturuar kriminal?
Amerikanët dhe evropianët thonë se korrupsioni minon sigurinë kombëtare, ndërsa propaganda e Partisë na thotë se për këto tema bëhen filma. Apo, për shembull, siç doli dikur shprehja e Nanos, të cilën e ricikloi Rama: pak korrupsion duhet gjithnjë, sepse është shumë i mirë për sistemin.
Ndërkohë, të gjithë e dimë se duke devijuar burimet publike nga shërbimet thelbësore, përfshirë mbrojtjen dhe inteligjencën, krijohet “lista e patronazhistëve”. Ky personel i stërmadh përvetëson fondet e shëndetësisë, ushtrisë, infrastrukturës kibernetike e të tjerave. Por, siç na thotë propaganda e Partisë, edhe Amerika ka patronazhistë!
Duke qenë se korrupsioni nxit paqëndrueshmëri institucionale, pakënaqësi publike, ul legjitimitetin e shtetit dhe fuqizon krimin e organizuar, lulëzojnë dallaverexhinjtë që na thonë se fajin e ka Ursula von der Leyen, Sorosi që na bën “gej” me zor, Trump-i që është në dosjen Epstein, Putini që ka tre gra dhe një dashnore, por shoku Never s’ka faj apo dijeni se ç’bën patronazhisti poshtë.
Oligarkia, siç e dimë, është sundimi nga një elitë e vogël, shpesh e lidhur me pasurinë e vënë përmes korrupsionit. Ka dallim mes qeverisjes dhe sundimit. Qeverisja është pyetja e qytetarit sa më shpesh se si zgjidhen problemet e mprehta, ndërsa sundimi është trajtimi i qytetarit si “popull bagëti” që s’di asgjë, sepse disa kanë marifete se si pasurohet vendi, duke i dhënë përparësi fitimeve private të politikanit dhe oligarkut mbi interesat kombëtare.
Pasi fuqizohen, oligarkët kthehen në problem të sigurisë kombëtare. Ata kapin institucionet shtetërore, shtrembërojnë politikat (p.sh. alokimin e fondeve në sektorë të ndryshëm ose marrëdhëniet e jashtme me Beogradin), pengojnë rritjen ekonomike përmes monopoleve dhe krijojnë pandëshkueshmëri që i mbush mendjen çdokujt se “ky vend s’bëhet”.
Nëse vijojmë në këtë rrugë, kontrata që është në thelb të kapitalizmit, e garantuar nga shteti dhe besimi qytetar, do të bjerë; do të shkojmë drejt një rruge ku dhuna, pengmarrja dhe vrasjet do të jenë mënyra për të zbatuar marrëveshjet. Kjo e degradon shtetin dhe forcat e sigurisë, ndërsa fton vende jomiqësore të gjejnë shesh e të gatuajnë përshesh.
Rrethi vicioz drejt të cilit po shkohet është, pak a shumë, i tillë: korrupsioni mbështet pushtetin oligarkik, oligarkët mirëmbajnë korrupsionin, institucionet bëhen më të cenueshme dhe rreziku i kolapsit të brendshëm ose i agresionit të jashtëm shtohet.

