Presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe kryeparlamentari Konjufca nënshkruan aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Kurti u shpreh pas ceremonisëse se progresi do të varet nga përkushtimi për reforma të thella dhe transformuese.

“Shpejtësia me të cilën do të ecim do të varet nga ne, prandaj angazhimi të gjithëve është i nevojshëm dhe përkushtimi i secilit i domosdoshëm. Pengesat dhe sfidat i kalojmë me zhvillim demokratik”, ka thënë ai.

Presidentja Osmani tha se Kosova nuk ka pasur asnjëherë alternativë tjetër pos BE-së dhe ky moment u dedikohet qytetarëve të Kosovës dhe gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e vendit.

“Kosova e ekonomisë së tregut të lirë dhe kontribuesja e paepur për paqe e siguri, e meriton të jetë pjesë e familjes së Bashkimit Evropian. Rruga jonë përpara është e qartë, procesi i anëtarësimit në BE nuk është proces i njëtrajtshëm dhe procesi në tërësi mund të jetë afatgjatë por ne jemi të vendosur që t’ia dalim me sukses”- u shpreh ajo.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se ky aplikim për anëtarësim është me rëndësi për Kosovën dhe gjithë rajonin. Ai ftoi institucionet dhe përfaqësuesit e BE-së që ta miratojnë në unanimitet kërkesën e Kosovës.

“E ftojmë Parlamentin Evropian, Këshillin Evropian, Komisionin Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së që ta demonstrojnë përkushtimin dhe përkrahjen e tyre ndaj Kosovës, por edhe gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor duke miratuar unanimisht kërkesën e Kosovës për anëtarësim”, theksoi Konjufca.

Aplikimi pritet të dorëzohet më 15 dhjetor në Republikën Çeke, vendin që aktualisht kryeson Presidencën e BE-së.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *