Asambleja e Komitetit të Përgjithshëm të Lojërave Mesdhetare përzgjodhi Kosovën për organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030.
Në votimin me 66 delegatë, 55 votuan në favor të Kosovës, ndërsa 8 vota ishin kundër.
Për të jetësuar këtë arritje historike, Kosova duhet të investojë 250 milionë euro për infrastrukturën e nevojshmë për organizmin e këtij aktiviteti.
Lojërat Mesdhetare përfshijnë garat në disa disiplina sportive si noti, atletika, futbolli, basketbolli, volejbolli, hendbolli, boksi, karateja, tenisi, xhudoja, etj.
Këto lojëra mbahen një herë në katër vite, ndërsa Kosova numëron dhjetë medalje të fituara në dy pjesëmarrje, nëntë prej tyre në xhudo dhe një në boks.
“Kosova mikpritëse e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Arritje e jashtëzakonshme. Urime të gjithëve.” – shkroi kryeministri Albin Kurti në rrjetet sociale.
Entuziast u shfaq dhe Përparim Rama. Kreu i komunës së Prishtinës tha në një video-mesazh se garat e këtyre lojërave do të përfshijnë disa qytete të Kosovës si Prishtina, Gjakova, Peja, Ferizaj dhe Mitrovica.