Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme në Kuvend për formimin e qeverisë së re, duke u bërë kështu mandatari i parë për kryeministër në historinë e Kosovës që dështon në këtë proces. Pas këtij zhvillimi, përgjegjësia për hapat e mëtejshëm i kalon presidentes së vendit, Vjosa Osmani.

Në seancën e së dielës, gati nëntë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Kurti i paraqiti deputetëve përbërjen e kabinetit të ri qeveritar. Megjithatë, në mungesë të një marrëveshjeje koalicioni, propozimi nuk arriti të marrë mbështetjen e duhur.

Nga gjithsej 112 deputetë që morën pjesë në votim, 56 votuan pro, 52 kundër dhe katër abstenuan, rezultat që nuk mjaftoi për miratimin e qeverisë.

Qysh në fillim të seancës, e cila nisi me më shumë se një orë vonesë, Kurti kishte dhënë sinjale për një rezultat të tillë. Ai pranoi se përpjekjet për të ndërtuar një shumicë qeverisëse gjatë muajve të fundit nuk kishin dhënë fryte.

“Në këta gjashtë muaj, përpjekjet për formimin e një shumice qeverisëse nuk dhanë rezultat, përkundër tentimeve tona të disahershme dhe shtetërore. Asnjëra nga partitë parlamentare, të cilave iu bë ftesë, nuk ka pranuar të hyjë në marrëveshje për bashkëqeverisje, megjithëse vota e qytetarit kishte përcaktuar nevojën për një koalicion qeverisës”, deklaroi Kurti para deputetëve.

Ndërkohë, opozita e deritanishme e ka akuzuar Kurtin për një “bllokadë të qëllimshme” që, sipas tyre, ka zgjatur plot tetë muaj, duke vonuar procesin e formimit të institucioneve.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *