Nga Enver Bytyçi

Kosova bëri lëshimet e saj gjatë bisedimeve me presidentin Matti Ahtisaari. Shpalli pavarësinë dhe bëri kushtetutën bazuar në dokumentin e tij të depozituar në OKB. Kosova e shpalli pavarësinë e saj njëanshëm, sipas vendimit të mëparshëm të presidentit George W. Bush, kur në Tiranë më 10 qershor 2007 tha: “Mjaft është mjaft! Kosova është e pavarur”! Serbia refuzoi kompromisin në bisedimet e Vjenës. Nuk dha asnjë lloj konsensusi.

Sot, mbas më shumë se 16 viteve liri e pavarësi, Kosova sërishmi është në rrezik. Më shumë se në kohën e George S. Bush, Bill Clinton apo të George W. Bush. Atëherë ishin këta tre presidentë që i dhanë garanci asaj dhe e çuan atë deri te pavarësia. Tani jo më. Amerkinaët janë penduar jo vetëm për luftën që bënë e pavarësinë që i dhanë Kosovës, por për shumë gjëra në përkrahje të shqiptarëve. Ndaj disa europianë janë nis me turravrap për zhbërjen e shtetit të Kosovës, jo vetëm ndarjen e saj.

Dikur thoshin se “Kosova është vend kriminal, shtet i mafies”. Dhe me këtë argument të kuzhinës serbe nisën ta luftojnë shtetin e Kosovës. Tani nuk e thonë dot se Kosova është vend ku sundon krimi dhe mafia. Sepse institucionet e saj janë përgjegjëse në qeverisje. Nuk ka më blej 5 euro një ari tokë nga prona shtetërore dhe shite pas dy ditësh 5000 euro po shtetit. Pra, nuk shkon më akuza se “krijuam një shtet mafioz”! Prandaj europianët dhe amerikanët pro-serbë kanë dalë hapur. Po e thonë çdo ditë se nuk e duan Kosovën shtet. E duan të copëtuar e të shkatërruar. Sepse kështu i pëlqen Beogradit.

Serbia ia arriti të hiqet viktimë. Nëse krimet serbe do t’i kishte bërë Kosova në Ballkan, paskan pasë me i zhdukë shqiptarët më keq se palestinezët në Gaza. Ndërsa Serbinë e harruan. Kriminelët e atyre krimeve të dhjetë viteve të fundit të shekullit të kaluar janë në pushtet e hiqen si viktima. Perëndimi demokratik i pranon si të tillë. Deri në atë masë, sa tani akuzojnë qeverinë e Kosovës dhe Kosovën për “agresion”! Kurrë nuk ishte imagjinuar kjo metamorfozë euro-amerikane. Dhe gjithçka ndodhi edhe për shkak se Serbia ishte unike në qëndrimet e veta. Ishte e vendosur për ta kërcënuar paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Ndaj dhe euro-amerikanët thanë se me Serbinë nuk ia dalim dot, hajde t’i kthehemi Kosovës dhe shqiptarëve, se këta janë të dobët, të përçarë dhe të padobishëm.

Në fakt për përçarjen e shqiptarëve dhe politikës së Kosovës ndërkombëtarët dhe Serbia investuan te Edi Rama. E bënë kryeministër, pikërisht për të shtuar presionin ndaj autoriteteve dhe liderëve kosovarë. Po sa e kuptojnë të vërtetën politikanët dhe elita intelektuale në Kosovë?! Nuk jam i sigurt se i njohin rreziqet e kësaj përçarjeje për vendin e shtetin e tyre. Gjithçka u bë për të zhbërë Ahtisaarin. Gjithçka për ta shuar patriotizmin dhe rezistencën politike të shqiptarëve. Shkurt, për të realizuar projeket e Serbisë.

Atëherë çfarë mbetet në dorë të shqiptarëve, në mendjen dhe në aktet e politikës dhe inteligjencës akademike e më gjerë të Kosovës? Të bashkohen! Për çfarë? Për ta ndarë Kosovën dhe shuar shtetin, siç bënte thirrje ish-presidenti i vendit? Jo për ta mbrojtur Kosovën, shtetin dhe integritetin e saj territorial. Kjo duhet projektuar si qëllim. Mjetet për ta arritur këtë qëllim janë të shumta. Nga mospajtimi me asnjë projekt që dëmton Kosovën, deri te vendosmëria për të bërë rezistencë të armatosur për mbrojtjen e saj. Kundërshtarët do të thonë, kundër kujt rezistencë, kundër KFOR-it? KFOR-i është aty për të garantuar shtetin, shtetësinë, kufijtë, territorin, sigurinë. Siguri pa territor dhe pa shtet nuk ka e nuk mund të ketë. Prandaj për këto dy elementë duhen përdorur të gjitha mjetet, edhe armët.

Nëse europianët dhe amerikanët binden se Kosova nuk heq dorë nga shtetësia dhe territori dhe i mbron ato me çdo çmim, edhe me çmimin e luftës për mbrojtje, atëherë ata do të tërhiqen nga projekti që kanë për ta zhbërë Kosovën në dobi të Serbisë. Serbinë ata e mbështesin nga frika e një lufte të re. Shqiptarët duhet ta marrin në dorë këtë shans dhe ta kërcënojnë seriozisht me luftë këdo që tenton të cënojë shtetin dhe territorin. Por kjo kërkon bashkim, kërkon konsensus, kërkon vendosmëri të përbashkët dhe jo rendje pas prestigjit personal ose interesave vetjake.

Në kushtet e sotme nuk janë në pyetje zgjedhjet as se kush i fiton ato. Eshtë në pyetje atdheu, shteti, territori dhe ardhmëria e shqiptarëve. Askush nuk ka të drejtën që ta mohojë gjakun e mijëra shqiptarëve për këtë shtet. Askush nuk ka komoditetin të luftojë kundër Kosovës në emër të luftës politike të brendshme. Kush e do atdheun, shtetin dhe tokën e Kosovës, pra edhe ata që nuk jetojnë në Kosovë, por janë shpërndarë si zogjtë e korbit me bekimin e Serbisë, të gjithë shqiptarët kanë për detyrë ta mbrojnë atë. Këtu nuk testohet vetëm Kosova. Testi vlen për të gjithë shqiptarët pa përjashtim. Nëse lëshojmë sot, ne do të zhbëhemi si komb. Botës do t’i lezetohet kurrizi ynë dhe nuk do të na zbresë kurrë nga shpina! Bashkimi na bën fitues të padiskutueshëm. Ndryshe përçarësit një ditë do të marrin nofkën e tradhtarit!

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *