Nga Arbër Zaimi
Kosova është shtet dhe shtetet llogariten si të barabartë
Përndryshe, po të zëmë t’i peshojmë shtetet, sa shanse do të kishte e pse duhet të rezistonte Taivani i vogël përballë Kinës? Apo Ukraina përballë Rusisë?
Nëse qenka punë peshe, pse nuk po mjafton pesha transatllantike për ta bindur Serbinë e vogël që ta njohë Kosovën? Apo që të heqë dorë nga destabilizimi i Bosnjës dhe i Malit të Zi? Apo që t’i vërë ndonjë sanksion Rusisë?
Kjo optikë e krahasimit vëllimor mes shteteve është e pasaktë, e kundërshtuar qindra herë nga historia e vjetër dhe ajo aktuale.
Kosova ka të drejtë të ketë interesat e saj të sigurisë. Ekzistenca e Bosnjës në rajon e bën Kosovën të jetë dyfish më e kujdesshme – të gjithë e mbajmë mend se si u duartrokit Dejtoni i bekuar e i garantuar nga aleatët perëndimorë, të gjithë i shohim sot rezultatet e tij.
Cili është interesi i sigurisë së Kosovës në raport me Serbinë, duke patur parasysh atë që ndodh në Bosnjë? Nëse Kosova i ka dhënë Serbisë akses në pushtet qendror me Kushtetutën Ahtisaari, e tash i jep edhe akses në pushtet lokal para se të marrë njohjen, atëherë në të ardhmen çfarë duhet tjetër të japë? A ka më ndonjë mjet apo levë që çon deri tek njohja?
Përgjigjja është jo, Kosova nuk ka mjet tjetër.
Dikush mund të thotë se mjeti që çon deri te njohja e Kosovës është kushtëzimi i Serbisë në procesin e integrimit evropian. Por, e para ky mjet nuk është në dorë të Kosovës por në dorë të BE, dhe siç po shihet BE nuk është neutral mes Kosovës dhe Serbisë pra Kosova e vogël nuk mund ta bindë BE-në e madhe që ta përdorë atë mjet nëse BE-ja e madhe s’do; dhe e dyta Serbisë nuk i bëhet edhe aq vonë për integrim evropian, sepse qëllimet e saj ekonomike dhe ato të sigurisë kombëtare i arrin më mirë duke qëndruar midis perëndimit e lindjes, por jo duke u integruar në një anë e duke humbur anën tjetër.
Prandaj Kosova duhet të mos lëshojë pe, por të vazhdojë përpjekjet dhe bashkëpunimin parimor me aleatët perëndimorë, duke forcuar demokracinë, të drejtat e njeriut, duke forcuar marrëdhëniet ekonomike e ushtarake me aleatët, si dhe duke përforcuar diplomacinë me lobim.
S’është vështirë ta kuptojmë interesin perëndimor për ta marrë Serbinë në gjirin e vet, gjë që aktualisht nënkupton një farë tolerimi për Vuçiqin, Dodikun, Vulinin etj. Me sa duket Vuçiqi ia ka dalë të ndërtojë bindjen se po të rrëzohet ai, opozita që fiton është edhe më pro-ruse, edhe më fashiste. Njësoj është toleruar nga perëndimi edhe Frankoja i Spanjës dikur, i cili dërgoi Legjionin e Kaltër për t’i ndihmuar Hitlerit, por pastaj u pranua nga blloku perëndimor sepse u krijua bindja që opozita e tij ishte pro-ruse. Vuçiqi qartazi e sheh veten si një farë Frankoje të ri, që edhe pse ndihmon haptazi Putinin, do të tolerohet.
Është fatkeqësi për popullin serb që perëndimi po e toleron Vuçiqin autokrat, të korruptuar e mafioz, me qasjen se për ta larguar Serbinë nga Rusia, ky është çmimi që duhet paguar. Fatkeqësi është edhe për Evropën vetë, që nuk e kupton se duke ledhatuar diktatorët me prirje frankiste, nuk po garanton sigurinë e saj, përkundrazi po i jep Putinit leva të tjera kontrolli dhe po rrit fondamentalistët e fashistët në gjirin e vet. Është ironi e veçantë e fatit që socialisti spanjoll, Borrelli, është burokrati që po mbështet kaq shumë Frankon ballkanik, Vuçiqin dhe po tregohet i ashpër me socialdemokratin ish-të burgosur politik, Albin Kurtin.
Megjithatë një gjë nuk e lëviz as topi. Nëse shkëputja e Serbisë prej Rusisë është e mundur dhe paska një çmim, atë çmim nuk ka pse ta paguajë Kosova sepse dhe miqtë tanë të mëdhenj e të fuqishëm e dinë se Kosova është e vogël dhe e varfër.