Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se sot ka mbërritur në Kosovë dërgesa e radhës e sistemeve raketore anti-tank OMTAS, të kontraktuara me kompaninë shtetërore turke Roketsan në dhjetor të vitit 2023.
Sistemi OMTAS (Orta Menzilli Tanksavar Silah) konsiderohet një nga armët moderne anti-tank me rreze të mesme veprimi, i projektuar për të neutralizuar mjete të blinduara bashkëkohore, përfshirë tanke të pajisura me mbrojtje reaktive, si dhe struktura të fortifikuara ushtarake.
Kurti theksoi se rritja e numrit dhe llojllojshmërisë së sistemeve raketore anti-tank për Forcën e Sigurisë së Kosovës synon mbulimin e distancave të ndryshme të veprimit, terreneve të ndryshme dhe skenarëve të mundshëm të kërcënimit.
Sipas tij, këto investime e rrisin ndjeshëm fleksibilitetin operacional dhe aftësitë mbrojtëse të FSK-së, duke e bërë Kosovën më të fortë, më të sigurtë dhe më të përgatitur për përballimin e sfidave të sigurisë.

