Artikull i Radio Evropa e Lirë
Kosova mbetet e përkushtuar për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, sipas propozimit të Bashkimit Evropian(BE), por thekson se Aneksi për zbatimin e saj duhet të zbatohet “në mënyrë të sekuencuar dhe të balancuar”. Kështu e komenton Qeveria e Kosovës, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, qëndrimin e BE-së se, për heqjen e masave ndëshkuese – krahas hapave të mëtejshëm drejt shtensionimit të situatës në veri – është “me rëndësi thelbësore” zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si dhe Aneksit të zbatimit të tij.
“Kjo përfshin formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe [në Kosovë]”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve sipas propozimit të BE-së, është arritur në fund të shkurtit, ndërsa për Aneksin e zbatimit të saj, palët u dakorduan në mars. Kjo marrëveshje parasheh zgjidhjen e shumë çështjeve të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, marrëveshja ra në plan të dytë, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, në fund të majit.
Pse u vendosën masa ndëshkuese ndaj Kosovës?
Në veri të Kosovës, ku jeton popullata shumicë serbe, tensionet u ngritën pasi kryetarët shqiptarë, me ndihmën e policisë, hynë në ndërtesat komunale në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët u përleshën me pjesëtarët e misionit ushtarak paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), në Zveçan. Me atë rast u plagosën rëndë dhe lehtë rreth 90 ushtarë të KFOR-it, si dhe dhjetëra serbë që morën pjesë në përleshje.
BE-ja, e cila prej më shumë se dhjetë vjetësh ndërmjetëson në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përgjegjësinë për këto tensione ia ngarkoi Prishtinës dhe kërkoi shtensionimin e menjëhershëm të situatës dhe kthimin në dialog. Bashkë me konstatimin se Qeveria e Kosovës po i injoron këto kërkesa, BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj saj, në fund të qershorit, në formë të pezullimit të përkohshëm të punës për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Po ashtu, prezenca e Kosovës në organizimet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale është pezulluar.
Ndërkohë, i dërguari i posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak, dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, më 10 korrik, në Bratisllavë arritën marrëveshje për shtensionim të situatës në veri. Përveç hapave konkretë që kanë të bëjnë me tërheqjen e policisë nga dhe rreth ndërtesave komunale në veri dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja, BE-ja theksoi edhe rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të dala nga dialogu.
Qeveria e Kosovës: Masa të padrejta, zbatim me radhë dhe i balancuar i marrëveshjes
Qeveria e Kosovës thekson se pika e parë e marrëveshjes për shtensionim, e cila ka të bëjë me reduktimin e forcave policore, tashmë është përmbushur dhe shton se deri më tani, 50 për qind e policëve janë tërhequr nga dhe rreth objekteve komunale në veri të vendit. Qeveria thekson se është bërë një vlerësim i sigurisë në bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in (misionin e BE-së për sundimin e ligjit), siç parashikohet në pikën e dytë të marrëveshjes, dhe se është duke vazhduar përgatitja e udhëzimit administrativ, në bazë të të cilit do të hapet rruga për shpalljen e zgjedhjeve të reja.
https://www.evropaelire.org/a/mospajtime-kosove-be-masat-/32554116.html