Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë ka njoftuar qytetarët se, duke filluar nga sot, data 20 maj 2025, do të ndalohet përkohësisht importi i mishit të pulës dhe produkteve të tjera të ardhura nga Brazili.

Në njoftim theksohet se kjo masë merret si përpjekje për të ndaluar përhapjen e gripit të shpendëve.

“Ky vendim synon të mbrojë shëndetin publik dhe të parandalojë përhapjen e mundshme të sëmundjes në territorin e Kosovës. Gripi i shpendëve është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek shpendët dhe, në raste të rralla, mund të transmetohet edhe te njerëzit.

Megjithëse nuk ka prova që konsumimi i mishit apo vezëve të shpendëve mund të shkaktojë infeksion, ndalimi i importit është një masë paraprake për të garantuar sigurinë ushqimore të qytetarëve,” thuhet në njoftim.

By Editor