Kombëtarja e Kosovës po hyn në momentin më emocionues dhe vendimtar të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026. “Dardanët” kanë përpara dy ndeshje që mund të përcaktojnë fatin e tyre historik – pjesëmarrjen për herë të parë në fazën “play-off” dhe, ndoshta, edhe në vetë Botërorin.
Lajmi i mirë për tifozët është se ekipi, për dy përballjet e fundit, është i kompletuar, ndërsa lojtarët kryesorë ndodhen në formë optimale.
Fillimisht, Kosova do të udhëtojë këtë të shtunë në Slloveni, ku do të përballet me një kundërshtar që kërkon të shpëtojë nderin në grup. Katër ditë më vonë, më 14 nëntor, në stadiumin “Fadil Vokrri”, do të zhvillohet një duel vendimtar me Zvicrën, që mund të përcaktojë gjithçka për fatin e “Dardanëve”.
Në të njëjtin grup zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera kyçe: Zvicra përballet me Suedinë këtë fundjavë, ndërsa katër ditë më vonë Suedia do të luajë ndaj Sllovenisë.

