Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se është nënshkruar kontrata prej afro 5.8 milionë eurosh për ndërtimin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë, një projekt i rëndësishëm që shënon krijimin e qendrës së parë ndërkombëtare të trajnimit në Kosovë.

Çeku theksoi se ky kompleks modern sportiv vjen si pjesë e përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare. Sipas tij, investimi synon të krijojë kushte optimale për xhudistët kosovarë që kanë sjellë medalje dhe krenari për vendin.

“Xhudistët tanë medalistë olimpikë e meritojnë më të mirën. Ky projekt është edhe një falënderim për Dritonin, Majlindën, Agronin dhe të gjithë ata që e kanë lartësuar shtetin me sukseset e tyre”, shkroi Çeku.

Qendra e re do të përfshijë sallë të madhe sportive, hapësira moderne për fitness, pishinë për rigjenerim e trajnim, ambiente për akomodim të sportistëve dhe stafit, hapësira për kujdes mjekësor, si dhe të gjitha instalimet teknike të nevojshme për funksionimin e përditshëm dhe organizimin e ngjarjeve.

Punimet pritet të nisin së shpejti, ndërsa ministri Çeku e përshkroi këtë projekt si një investim që i shërben drejtpërdrejt sportit, sportistëve dhe imazhit të vendit.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *