Republika e Kosovës feston sot 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, akt i miratuar më 17 shkurt 2008 nga Kuvendi, që e shpalli vendin shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Në këtë përvjetor, institucionet kanë zhvilluar aktivitete dhe një seancë solemne për të nderuar këtë ditë historike.
Kryeministri Albin Kurti u shpreh se shteti, Pavarësia dhe Kushtetuta janë të reja, por gjuha, kultura dhe populli i Kosovës kanë rrënjë të lashta. Ai përmendi edhe ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke theksuar se kontributi i tyre në ndërtimin e shtetit nuk mund të harrohet.
Presidentja Vjosa Osmani theksoi se rruga drejt lirisë dhe shtetësisë ka qenë e gjatë dhe e mbushur me sakrifica shekullore. Pas ceremonisë së ngritjes së flamurit, ajo u shpreh se kjo ditë bashkon qytetarët për të festuar dhe për të kujtuar të gjithë ata që dhanë gjithçka për Kosovën.
Urime për përvjetorin erdhën edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio deklaroi se Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, duke vlerësuar gjithashtu bashkëpunimin e saj në përballimin e sfidave globale.
Ndërkohë, edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Ramauroi përvjetorin e Pavarësisë përmes një postimi në rrjetet sociale. Ai bëri të ditur se nuk mund të ishte i pranishëm në një tubim në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me proces gjyqësor në Hagë.
Në këtë përvjetor, aktivitetet përkujtimore dhe festive janë zhvilluar në mbarë vendin, duke rikujtuar rrugën e Kosovës drejt shtetësisë dhe sfidat që mbeten përpara.

