Bekim Hamëz Jashari ka reaguar ashpër ndaj disa deklaratave publike të individëve dhe politikanëve në Kosovë, të cilët, sipas tij, kanë bërë krahasime të papranueshme mes veprimeve legjitime të Qeverisë së Kosovës në veri të vendit dhe krimeve të regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit.

Në reagimin e tij, Jashari e cilëson këtë qasje si të turpshme dhe thekson se ajo përbën jo vetëm mungesë përgjegjësie politike, por edhe fyerje të drejtpërdrejtë ndaj sakrificës së popullit shqiptar. Ai nënvizon se shtrirja e sovranitetit, shuarja e strukturave paralele ilegale dhe vendosja e rendit dhe ligjit janë detyra kushtetuese të shtetit të Kosovës dhe nuk mund të krahasohen me krimet e Serbisë gjatë viteve të okupimit.

Sipas Jasharit, deklarata të tilla i shërbejnë drejtpërdrejt narrativës së Serbisë, e cila synon përçarjen e brendshme dhe dobësimin e interesave shtetërore të Kosovës. Ai thekson se qytetarët e Kosovës e njohin mirë të kaluarën politike të secilit dhe se historia nuk mund të manipulohet për interesa ditore.

Në fund, Bekim Jashari bën thirrje për unitet, maturi dhe përgjegjësi kombëtare, duke kërkuar një lidership dinjitoz që i shërben shtetit dhe interesave strategjike të Kosovës, e jo përfitimeve të ngushta politike.

Postimi i plotë i Bekim Hamëz Jasharit:

“Është e turpshme dhe e papranueshme se si disa individë e politikanë të vendit, e akoma më keq disa të tjerë që thirren si “shokë” të Kryekomandantit Adem Jashari, bëjnë deklarata që nga njëra anë përbuzin veprimet legjitime të Qeverisë së Republikës së Kosovës për shtrirjen e sovranitetit dhe integritetit territorial në veri, ndërsa nga ana tjetër i krahasojnë këto veprime shtetërore me krimet e regjimit gjenocidal të Millosheviqit.

Kjo nuk është as padije, as lapsus politik por fyerje e rëndë ndaj sakrificës së popullit shqiptar. Si mund të krahasohet sundimi dhe shtypja e përgjakshme e Serbisë ndaj shqiptarëve me veprimet e shtetit tonë sovran, i cili po shuan struktura paralele ilegale, po vendos rend dhe ligj dhe po garanton funksionimin e institucioneve në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës?

Këto deklarata i shërbejnë drejtpërdrejt narrativës së Serbisë. Sepse Serbia dëshiron pikërisht këtë: të na shohë të përçarë, të papërgjegjshëm, të zhytur në konflikte të kota dhe larg interesave vitale të shtetit të Kosovës.

Populli na njeh mirë. Ai nuk ka harruar të bëmat e secilit prej nesh: kush kemi qenë, çfarë kemi bërë dhe si jemi sjellë ndër vite, sidomos në momentet më të vështira për vendin. Historia nuk fshihet me deklarata ditore dhe as nuk rishkruhet për interesa politike.

Prandaj, bëjmë thirrje për unitet, maturi dhe përgjegjësi kombëtare. Politika duhet të jetë mjet bashkimi rreth interesave strategjike të Kosovës, e jo instrument për përçarje, relativizim të krimeve serbe dhe përfitime të ngushta partiake.

Kosova ka nevojë për lidership të përgjegjshëm, me dinjitet kombëtar, që i shërben shtetit dhe atdheut, jo egos personale dhe kalkulimeve politike afatshkurtra.

Me respekt,

Bekim Hamëz Jashari”

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *