Ligjëruesi i shkencave politike, Nezir Kraki i kërkoi Albin Kurtit të mos ndikohet nga presionet e QUINT-it dhe të hapë urën e Ibrit në Mitrovicë për qarkullimin e lirë të mjeteve. 

Sipas tij, kryeministri i Kosovës duhet të vlerësojë mundësinë e tërheqjes nga dialogu pasi procesi po e dëmton gjithnjë e më shumë Kosovën dhe Evropa është rreshtuar hapur në mbrojtje të interesave të Serbisë.

Statusi i Nezir Krakit

S’duam veri normal, na ktheni veriun e vjetër !

Pse Evropës i duhet veriu i vitit 2013 ?

Tashmë u kuptua që Bashkimit Evropian nuk i konvenon normalizimi i veriut dhe as normalizimi e forcimi i Kosovës si shet sovran e funksional. Madje, paradoksalisht dhe fatkeqësisht, kjo nuk i konvenon më as Amerikës. Kësaj Amerikës amnezike të disa  diplomatëve mediokër që Kosovën ende e shohin si protektorat ndëkombëtar.

Nuk iu konvenon sepse veriu  « serb » i Kosovës, nën menaxhim e qeverisje të Beogradit përmes bandave kriminale e paramilitare, ka qenë prej vitesh dhurata e shpresuar nga Serbia dhe e premtuar nga Perëndimi si kompensim për « humbjen e madhe » që ndodhi kur Kosova u shpall shtet. Veriu i serbizuar kriminalisht e politikisht ka qenë poashtu, per fatin tonë të zi, realiteti që i konvenoi kastës politike e banditeske të Kosovës për vite me radhë. Ajo kastë e bindi botën dhe aleatet tanë më të ngushtë se, përkundër shpalljes së pavarësisë dhe pranimit të saj nga Perëndimi në vitin 2008 dhe përkundër vendimit të GJND-së që e konfirmoi atë shpallje në vitin 2010,  Kosova ende s’kishte status as kufij të qartë, se Kosova s’ishte çështje e kryer por kontest i ngrirë. Ai realitet social e politik, i dëshiruar nga Evropa, i pranuar dhe i mbrojtur nga politika e mediat e Kosovës, u shndërrua në realitet gjeografik me nevoja të veçanta dhe u bë arma më e fortë e Serbisë për sabotimin e shtetit të Kosovës.

Dhe, të gjithë jemi dëshmitarë se me çfarë zelli e përkushtimi mobilizohen ambasadat dhe komitat e funksionarëve mediokër evropianë e amerikanë që realiteti i veriut serb të mos ndryshojë, që veriu t’i mbetet Serbisë, nëse jo si tokë të paktën si trofe dhe si armë politike. Evropës i duhet ai realitet, me krim e me barrikada, sepse nga ai realitet kishte lindur « nevoja » per asociacionin serb dhe per bisedime politike me Serbine. Prandaj Hashim Thaçi, në kulmin e fushatës së tij për rikthimin e statusit të Kosovës mbi tavolinë, me shpresën se hiper-faktorizimi do e bënte atë të paarrestueshem, deklaronte në OKB se « Kosova ishte gati për vendime të dhimbshme ». Ishte koha kur Kosova zyrtarisht pranoi kapitullimin në veri dhe u dorezua. Ishte koha kur Perëndimi dhe tuxharët e tij në Ballkan i donin qeveritë e Kosovës, jo i donin por i dashuronin, aq shumë kishte koordinim. Dorëzimi i Kosovës u vulos në vitin 2015 kur në Kuvend u miratua « suksesi » i Thaçi dhe Mustafës që doli se ishte tradhëtia më e madhe që i ishte bërë Kosovës nga viti 1999.  

Tash në 2023 dhe 2024 veprimet e vendimet e Kosovës, ma hatër e me zor, me koordinim e pa koordinim, e detyruan atë realitet të ndryshojë, e thyen atë cikël kriminal dhe serbizues në të cilin gjendej veriu. Kosova e tashme ua prishi planet dhe « nevojat » per asociacion atyre që veriun s’munden dhe s’duan ta shohin ndryshe përveç barrikadë, krim dhe Serbi. Mobilizimi i mediave, i opozitës, i BE-së dhe i diplomatëve kundër atyre vendimeve ishte prova më evidente se ndryshimi pozitiv në veri nuk duhej të ndodhte. Ishte prova se kastat proserbe të Perëndimit dhe të Kosovës i kishte përfshirë paniku se po zbehej nevoja për asociacionin e vitit 2013, kohës kur veriu s’ishte Kosovë.

Madje, siç e kam thënë më heret, për ta ndalë normalizimin e veriut, ndryshimin e gjendjes atje, Evropa dhe Amerika e inkurajuan dhe lejuan edhe sulmin terrorist në Banjskë, i menduar si mjet i shpejtë dhe brutal për ta frikësuar Albin Kurtin dhe për ta rikthyer versionin serb të asaj zone, versionin e krimit dhe barrikadave nga ku kishte « lindur » asociacioni. Thjesht, versionin kompatibil me asociacionin, versionin që i ishte premtuar Serbisë dhe me të cilin ajo do ta sabotonte Kosovën edhe një shekull. 

Rreshtimi i evropianëve me Serbinë kundër futjes së Kosoves në Këshillin e Evropës ishte sulmi tjeter i koordinuar me Vuçiqin. Sulm kundër vet Evropës dhe planit të tyre franko-gjerman i cili i kërkonte Serbisë që mos ta pengonte Kosovën në nisma të tilla. Tash Evropa vendosi t’i njoh si legale pasaportat ilegale serbe per qytetarë të Kosovës. Asgjë e re, asnjë habi. Ky është sulm i ri kundër Koosvës, në favor të Serbisë dhe në pamundësi per t’ia rikthyer asaj veriun e premtuar, atë të versioneve që u thanë këtu sipër. 

Nuk duhen shumë njohuri e madje as guxim i madh për ta kuptuar rrjedhen anti-Kosovë të ngjarjeve këto dy vitet e fundit. Sikurse nuk duhet shumë gjenialitet për ta kuptuar se këto veprime evropiane janë në dhunim flagrant të parimeve e vlerave të vet BE-së, fiks sikur janë dhunime të vlerave amerikane dhe mundit amerikan në Ballkan sjelljet kaubojeske të disave kur diplomacia amerikane bëhet skutave të Beogradit. 

E tash doli Ura, gërdia diplomatike e radhës dhe krejt kjo që thash e që e kam thënë shpesh u konfirmua. Mobilizimi i Quintit për ndaljen e ndryshimit pozitiv në veri është për turp, është degradim i Perëndimit në nivele të papara më herët.  Kush është ai idiot që medon se një urë e mbyllur është vlerë evropiane apo amerikane, në një vend ku lufta ka përfunduar para 25 viteve ? Eshtë krejt e kundërta. Vlerat evropiane linden kur Franca e Gjermania ranë dakord për bashkim e hapje vetëm 5 vite pas Luftës së Dytë me mbi 40 milionë të vrarë. Prapa qëndrimit se Ura s’mund të hapet gjendet ideja se veriu është dhe duhet të jetë i ndryshëm nga Kosova. Ideja absurde se komunikimi dhe lëvizja e shqiptarëve dhe serbëve të asaj pjese përben rrezik për rendin ballkanik e botëror. Prandaj ura duhet të hapet me ose pa koordinim sepse i vetmi koordinim që i kërkohet Kosovës është ai për ta braktisur veriun. 

Sipas meje, në bazë të kësaj që thashë dhe shumë arsyeve tjera, Kosova duhet ta pezullojë pjesëmarrjen në dialog derisa te mos jetë sqaruar pozicioni i BE-së ndaj saj. 

Nuk mundet Kosova ta ketë përballë edhe Serbinë edhe BE-në si kundërshtare dhe kërkuese. Nuk mundet Evropa ta zëvendësojë Serbinë në tavolinë. Rasti i Këshillit të Evropës ishte brutal: Kosovës iu kërkua asociacioni në shkëmbim të anëtarësimit, në vend se për asociacionin t’i kërkohej Serbisë pranimi dhe respektimi i marrëveshjes evropiane. 

Aleatët meritojnë respekt dhe vlerësim por vetëm Kosova e ka detyrim të merret me veten dhe me veriun e saj. Perëndimi po kalon një moment paqartësie në shumë aspekte, nga ato sociale deri te ato të sigurisë dhe mbrojtjes. Në rrethana të tilla vendet e vogla shpesh mund të bëhen kurban i pazareve të mëdha gjeostrategjike. Kosova nuk duhet ta pranojë rolin e kurbanit sepse s’ka nevojë dhe as Perëndimi s’ka nevojë ta sakrifikojë projektin e Kosovës shtet.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *