Nga Shaip Beqiri
Në burg kam shkruar poezi. Ato i kam shkruar a memoria. I kam hedhur në letër kur kam dalë nga burgu. Kam shkruar përmendsh. Kjo ka ndodhur dy herë, së pari në vjetët ’53 – ’54 dhe së dyti në vjetin ’80. Në përgjithësi në burg nuk lejonin të shkruhej. Deri në ’66 kontrolli nuk ka qenë shumë i rreptë. Kontrolli u bë i rreptë pasi Arshi Pipa botoi diçka në SHBA nga burgu i Burrelit. Atëherë u tërbuan dhe morën masa shumë të rrepta ndaj shkrimtarëve. Kështuqë u detyruam të shkruanim fshehurazi ose a memoria. Kjo ka qenë mënyra e shkrimit në burg. Ka pasur shumë të këqija që nuk mund të përshkruhen. Unë nuk e kam në qejf të shkruaj për burgun. E konsideroj veten time që nuk kam qenë në burg kurrë. Unë edhe në burg edhe jashta tij kam qenë njëlloj. Në skllavëri nga njëra anë dhe krejtësisht i lirë në anën tjetër.
Është vetëm një insert i vogël nga biseda më e gjatë që kam bërë në tërë punën time publicistike. Biseda shumë e hapur me Kasëm Trebeshina, që çel në mënyrë të plotë siparin e një jete të tërë dhe një vepre krejtësisht të veçantë me vlera të jashtëzakonshme.
Këtë peng njerëzor e krijues më mban shpresa që do ta përmbush së shpejti, pas plot 30 vjetësh të zhvillimit të bisedës sime totale me shkrimtarin e madh Trebeshina, i cili nuk e quajti veten asnjëherë disident.