Studiuesi Behar Gjoka, përmes një shkrimi të shkurtër, me titull “Hallakamat e kritikës letrare”, pati ngritur shqetësimin për mungesën e kritikës së mirëfilltë letrare, e cila mungesë ka bërë që të kemi një përzierje të dendur të shapit me sheqerin dhe, po që se nuk ndërmerret diçka, vështirë se do të mund të ndahen për të pasur gjendje të qartë.
Në mungesë të mekanizmave që rregullojnë çështjen e botimit të veprave letrare, ka kohë që në këtë lëmi kemi një mish – mash të vërtetë dhe tashmë është e qartë se pasojat zor se do të mund të riparohen.
Behar Gjoka këtë realitet absurd dhe paradoksal, ndër të tjera e argumenton edhe me faktin se ekziston një kritikë e shkrimtarëve për njëri – tjetrin, e cila, sipas tij, të kujton atë situatën ku gomari ia fërkon gomarit…Kjo do të thotë se pothuaj në të gjitha hapësirat ku jetojnë, ka grupime “shkrimtarësh”, të cilët ia rrahin njëri tjetrit krahët dhe funksionojnë në stilin “unë ty – ti mua”. Këto vetëkënaqësi, për të mos thënë “orgazme letrar”, këto grupime i bëjnë jo vetëm qesharake, por edhe të mjerë.
Në ndërkohë, pos që kemi inflacion të botimeve të ndryshme, kemi edhe botime mjaftë cilësore, të cilat, në mungesë të një kritike të vërtetë, thjeshtë i mbulon pluhuri i harresës. Sidomos gjendja është alarmante në hapësirën shqiptare të Maqedonisë së Veriut, ku mungesa e kritikës letrare, ka bërë që në lëmin e botimeve shpesh të përballemi me “vepra” tragjike-komike, të cilat nuk i plotësojnë as kriteret elementare për t’u cilësuar si vepër letrare. Nuk do të thotë se diçka të tillë nuk ka edhe në Kosovë e Shqipëri.
Por, e keqja e gjithë kësaj qëndron në faktin se asnjë institucion relevant (as fakultetet e letërsisë, as akademitë, as institutet) nuk e ngrit shqetësimin e shumë mungesave në lëmin e letërsisë. Paraqitjet e disa individëve që, duke u marrë vetëm me emra për të cilët janë shkruar edhe me qindra qasje kritike dhe duke menduar se në këtë mënyrë do të tërheqin vëmendjen e opinionit artdashës, zakonisht përfundojnë me mashtrimin e vetvetes. Nuk bëhesh “kritik i madh” nëse shkruan vetëm për Kadarenë, Agollin, Podrimjen, Shkrelin e disa të tjerë.
Kritika në vazhdimësi duhet t’i përcjellë botimet, me qëllim që të vendoset një rend i vlerave. Është koha që të thuhet qartë se kjo ose ajo vepër është e keqe për këto e këto arsye ose është e mirë për këto e këto dhe jo duke plotësuar dëshira të shkruhet diçka që nuk është as reale e as e qëndrueshme.
Sot, fatkeqësisht, janë heshtur edhe ata qindra e qindra doktorë të letërsisë, të cilët thjeshtë as që e dinë se çfarë ndodh në fushën e tyre, për të cilën kanë marrë tituj akademik. Doktorët tanë impotent të letërsisë janë dëshmia më konkrete se në ç’derexhe është arsimi shqip, por edhe libri shqip, të cilin shoqëria shqiptare ka kohë që e trajton se defter bakalli./HEJZA