Gjatë rrahjes së mendimeve për rishkrimin e historiografisë letrare të gjysmës së dytë të shekullit xx relativizohet fakti i ekzistencës së kritikës dhe të studimeve të autorëve të diasporës. Kjo kritike mbi prodhimin letrar të sistemit letrar Tiranë-Prishtinë evidenton dikotominë e vlerave nga përfaqësuesit e kritikës në qendër dhe në diasporë.
Diaspora ruajti si autor model Fishtën e Konicën, ndersa autor qendër-sistemore: Koliqin. Pas viteve ’70 evidentoi autorët “hermetikë” e “ekzistencialistë”* si Pashku, Arapi, Haliti, Zeqo [shih revista Koha e Jone, Paris-Firence]; ne vitet ’80-’90 autori qender per diasporen u shugurua Martin Camaj percaktim i gjithpranishem por merite kryesore per kete vleresim pati Arshi Pipa.
Sistemi qendror letrar mbajti si model Migjenin, dhe qendra e sistemit kombetar – fillimisht iu njoh Shuteriqit, ne vitet ’60 Agollit e Kondit ndersa në vitet ’70-90 Kadaresë.
Duke parë se rezultatet e këtyre studimeve dhe aktiviteteve ishin të ndryshme në qendër (Tiranë-Prishtinë) dhe diasporë (Romë-Paris-Munich), por edhe të kundërta – duhen dalluar faktorët ndërveprues për arritjen e rezultateve të ndryshme të kritikës në diasporë, së pari:
Faktori i funksionit inherent të kritikës në diasporë, ai i përcaktimit të filozofisë së artit dhe ligjërimit artistik si primarë në përcaktimin e vlerës së krijimtarisë nga subjektet kritike. Konstatimi i përvijimit të metodave dhe teknikave lidhur me misionin e studimit si pjesë e shkencës letrare të ndikuar nga zhvillimet e aplikimet e teorive të reja të shfaqura në Perëndim, si bashkëkohësi e kritikës kombëtare. Në diasporë dallohet vijimi i një kritike historike-filologjike (De Sanctis) te autorë si Karl Gurakuqi dhe Namik Resuli, të kritikës intuitiviste** (Benedeto Croce) dhe të interpretimit psikanalitik të tekstit tek Ernest Koliqi dhe Giuseppe Gradilone, të zbatimit të metodës së letërsisë komparative te Martin Camaj dhe Arshi Pipa, por edhe të interpretimit të tekstit dhe të zbatimit të teorive të strukturalizmit.
Dalja në mërgim e autorit-qendër të viteve ’30 -’40 si Koliqi, por edhe të kritikëve Namik Ressuli e Arshi Pipa siguroi vijueshmërinë e traditës së kritikës moderne. Modelet e kritikës së Krist Malokit dhe Mitrush Kutelit, u konsideruan teori të “ndaluara” në qendrën sistemore bashkë me aplikimet e tyre të: interpretimit semiotik, psikanalitik dhe sidomos formalizmit apo strukturalizmit (Jakobsonit apo Roland Barthes etj.).
Shkenca letrare dhe kritika në qendrën sistemore u mjaftua me studimet socio-historike dhe tekstologjinë e autorëve të vjetër. Autorët e diasporës (Koliqi-Camaj-Gradilone) e interpretuan kritikën dhe historishkrimin e letërsisë në Shqipëri si sociologjizëm vulgar***, por edhe si mbivlerësuese të ideologjisë, si normë bazë të krijimtarisë e kritikës, kundrejt formës artistike.Në kritikat mbi përkthimet, Martin Camaj inicioi metodën komparative. Camaj vuri në përdorim një terminologji kritike të mbështetur në teoritë e reja si formalizmi, strukturalizmi, ndërsa Gradilone aplikoi metodën e interpretimit të tekstit. Camaj në analizën e përkthimit të pjesës së parë të Komedisë hyjnore, Ferri të Dante Alighierit në përkthimin e Pashko Gjeçit*** në një akribi të kompetencës i jep shprehje dukurisë së interpretimit ndërkulturor përmes kalimit nga gjuha në gjuhë, ku rezultatet mbi të arriturat nuk shpallen në pozitive e negative si në kritikën shqiptare, por përmes qëmtimit të fakteve dhe arritjes së formës danteske në gjuhën shqipe, krahasimisht, me përkthimet e pjesëve të zgjedhura të Komedisë Hyjnore nga Ernest Koliqi.
Së dyti: faktori i funksionit të kritikës nisur nga ndërkulturalizmi. Per botimin në revistën Shêjzat, (Koliqi, Camaj e Gradilone) ishin vënë kritere të njohjes në nivel shkrimtarie fillimisht të gjuhës shqipe:
“Çdo shqiptar qi ká nji mendim fryt-dhanës për të shfaqun dhe din t’a shfaqi në shqipe të paster, çdo intelektual qi lakmon të rrahi nji çashtje ditunore ase don të paraqesi prodhimet e veta letrare, ka me gjetun vend në këto fletë t’ona,…” *****
Ky qendrim që u ndryshua më vonë me kriterin e njohjes së “një gjuhe” (të huaj), vendosi një kriter ndërkulturor. Ky kriter ndërkulturor, i vendosur nga redaksia e Shêjzave: Koliqi-Camaj-Valentini shërbeu si funksion kryesor lidhur me jetëgjatësinë e revistës kulturore-letrare: me kohëzgjatje 17 vjet. Revista Shejzat kulmoi me botimin e numrit komemorativ, të vitit 1978, e përvijoi deri në fund të prodhimit të kritikës së letërsisë shqipe, duke ua botuar prodhimin kritik autorëve bilingualë: shqip-italisht të Valentinit-Koliqit-Gradilones-Camajt në revistën Shêjzat.
Ne Amerike Pipa dhe Anest Andrea botuan në anglisht (revistat Koha e Jonë, BKSH, Shêjzat).
Aplikimi i teorive moderne letrare në praktikën kritike të arbëreshit Giuseppe Gradilone me vepren “Studi di letteratura albanese”, dhe të Arshi Pipës në kryeveprën e letërsisë komparative të kritikës “Dante and Montale”, Minesota 1978, ndonëse janë botuar në gjuhët italisht dhe anglisht nuk mund të receptohen pa qasjen sipas metodës ndërkulturore.
Përpunimi i termave të kritikës së diasporës sipas teorive dhe metodave ka përpunuar një argument teorik përmes shprehjes artistike, siç është motivi kërkimor i poemës Palimpsest të Martin Camajt. Rrjeti i kritikës shqiptare si aktivitet ndërkulturor, ka krijuar kanalin e gjuhës tjetër jo për shkak tëhuajzimi por për shtrirje të vëllimit të komunikimit në atë të kritikës polisistemike si ndërkomunikim që i parapriu rrugës së prodhimit letrar në biling sikundër Camaj me vëllimin lirik- Gedichte (1991), ndërsa kritika në diasporë ruajti funksionin e saj të ekzistencës në melting pot-in ndërkulturor.{…}
* Gradilone, Giuseppe, De Genti, A.: “Anton Pashku, tregimtar i shquem”, Shejzat nr. 4-8, Romë 1972, 143-146. ** Koliqi, Ernest: “Kroje të reja në Parnaz shqiptar”, Shêjzat, Romë 1957, 1, f. 3-9.*** “Il costante e continuo ricorrere dei termini razionario e feudale in contrapposizione ad altri, a cui va la simpatia dell’ autore come realismo sociale e democratico, pone il lavoro su un’ interpretazione sociale della letteratura” cit. në “Storia letteraria albanese”, Giuseppe Gradilone: Shêjzat nr. 1, Romë 1957, f. 13.****Camaj, Martin: “Ferri e para kantikë e Komedis Hyjnore në gjuhën shqipe”, Shêjzat, Romë 1962, 5-6, 148-158.*****Koliqi, Ernest: “Mbas udhëhjekjes së Shêjzave”, Shêjzat, Romë 1957, 1, f. 1-2.
Leka Ndoja “Letersia shqipe e Diaspores 1944-1990.