Rritja e çmimit të naftës pritet të ketë pasoja të mëdha në ekonomi, të cilat, sipas ekonomistëve, do të ndihen më qartë në muajt e vjeshtës. Ekonomisti Pëllumb Çollaku thotë se efekti zinxhiror i shtrenjtimit të naftës do të reflektohet sidomos në rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore, raportoi Koha.net.
Sipas tij, rritja e çmimit të naftës ka sjellë menjëherë edhe shtrenjtimin e plehrave artificiale, të cilat përdoren gjerësisht në bujqësi për rritjen e rendimentit. Kjo rritje pritet të ndikojë drejtpërdrejt në koston e prodhimit bujqësor dhe më pas në çmimet që paguajnë konsumatorët.
Çollaku thekson se edhe nëse çmimet e naftës ulen në muajt e ardhshëm, dëmi tashmë është bërë, pasi shumica e mbjelljeve janë kryer dhe fermerët i kanë blerë plehrat me çmime më të larta.
“Në mënyrë indirekte, rritja e çmimit të naftës, si pasojë e luftës në Iran, ka shkaktuar rritje të çmimit të plehrave artificiale, e cila pritet të sjellë rritje të çmimeve të produkteve ushqimore në të ardhmen,” është shprehur ai për Koha.net.
Sipas ekonomistit, mbi 50 për qind është rritur çmimi i azotit në tregjet ndërkombëtare, ndërsa kjo situatë mund të shkaktojë një valë të re inflacioni në sektorin ushqimor.
Ndërkohë, edhe pse çmimet e naftës patën një rënie të përkohshme pas marrëveshjes për armëpushim dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit, ato nisën të rriten sërish pasi Irani rivendosi kufizimet në Ngushticën e Hormuzit pas sulmit të Izraelit në Liban.
Sipas Çollakut, institucionet duhet të marrin masa sa më shpejt për të zbutur efektet e kësaj krize, pasi një pjesë e madhe e të ardhurave të familjeve në Kosovë shpenzohet për ushqim dhe çdo rritje çmimesh rëndon drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.

