Kroacia ka nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme me Gjermaninë për blerjen e 44 tankeve të avancuara Leopard 2A8, gjatë vizitës zyrtare të kryeministrit kroat Andrej Plenkoviq në Berlin.
Sipas mediave ndërkombëtare, kancelari gjerman Friedrich Merz shprehu mirënjohjen e tij për vendimin e Zagrebit, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Ju falënderoj sinqerisht për këtë besim. Kjo i fuqizon forcat tona të armatosura si aleatë të NATO-s dhe i integron ato në mënyrë efikase përmes sistemeve tona. Kjo nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme se sot”, deklaroi Merz pas ceremonisë së nënshkrimit.
Ai shtoi se marrëveshja dëshmon unitetin brenda BE-së dhe NATO-s, si dhe kapacitetin për t’iu përgjigjur kërcënimeve aktuale që vijnë nga Rusia dhe aktorë të tjerë që cenojnë sigurinë europiane.
Nga ana tjetër, kryeministri Plenkoviq theksoi se blerja e tankeve Leopard paraqet një hap të rëndësishëm për modernizimin e ushtrisë kroate, duke përfituar nga programet e reja të mbrojtjes së BE-së dhe duke kontribuar në sigurinë e përbashkët.
“Ky është një hap i rëndësishëm në transferimin e teknologjisë në Kroaci dhe kalimin drejt teknologjisë perëndimore, ku ne mund të thellojmë më tej bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes – për shembull me kompaninë DOK-ING dhe të tjera”, u shpreh Plenkoviq.

