Nga Besjana Lushaj
Dje
Sylt, 2024
Pashkë dhe fillim pranvere. Një grup të rinjsh gjermanë mblidhen të festojnë Pashkën katolike në një nga festat e përvitshme të rëndomta në një prej ishujve më ekskluzivë të Gjermanisë. Alkol, muzikë, hashash dhe thirrje fashiste: ‘‘Të huajt jashtë! Të huajt jashtë!‘‘ Të njomë, të pashëm dhe pinjollë të familjeve të ngritura gjermane, në habitatin e tyre të pashqetësuar se ajo çfarë po bënin ishte shumë më shumë se një video pa shije.
Potsdam, 2023
Eksponentë të lartë të ‘‘Alternativa për Gjermaninë‘‘, partia e ekstremit të djathtë gjerman, takohen me afaristë me qëllim koordinim e punëve për hartimin e një masterplani për riemigrimin/deportimin e miliona njerëzve me prejardhje të huaj nga Gjermania. Çdo jogjerman, i lindur apo i ardhur në Gjermani, do të kthehet andej nga ka ardhur me ardhjen e AFD-së në pushtet, kjo sipas pjesëmarrësve në takim vjen si nevojë historike për mbrojtjen dhe ruajtjen e kulturës gjermane nga ata që as nuk duan dhe as nuk dinë të përshtaten/asimilohen. Rruga e shpëtimit të atdheut kalon nëpërmjet dhënies së shqelmit në prapanicë miliona njerëzve.
Mbledhja u krye me sukses, veçse gjithçka u bë publike nga rrjeti i gazetarëve investigatv CORRECTIV. Rrjeti investigues arriti të dokumentonte gjithçka ishte diskutuar duke i dhënë një goditje, në dukje të fortë, ekstremistëve të djathtë gjermanë.
Bërja publike e takimit në janarin e këtij viti i trazoi keq ujërat politike në Gjermani, duke shtyrë miliona njerëz të dalin në rrugë për të kundërshtuar rrymat e ekstremit të djathtë. Kjo i dha jetë një lëvizje të re e cila arriti në pak kohë të provojë se i kishte numrat për të mbushur rrugët e Gjermanisë dhe për t’i bërë të qartë AFD-së dhe mbështetësve të saj se kësaj here shoqëria gjermane e kishte forcën t‘i paraprinte të keqes në kohë.
E gjithë kjo indinjatë dhe frikë u kanalizua në një propozim konkret:
‘‘Aleanca për Gjermaninë duhet të pushojë së ekzistuari si Parti.‘‘ E kjo sipas propozuesve duhej sanksionuar me ligj. Naivitet, a thua se naiviteti i ka dhënë ndonjëhërë drejtim punëve në politikë.
Propozimi u hodh në tavolinë dhe AFD-ja nuk vonoi të hedhë tellallët e saj në terren.
‘‘Po na e bëjnë si Presidentit Tramp në Amerikë!! Kjo nuk është një e keqe veç gjermane, kjo është një e keqe mbarëbotërore‘.‘
Kaq mjaftoi që AFD-ja të fillonte rikuperimin me hap të shpejtë, pas goditjes së marrë nga takimi i Potsdamit. Një distancim në letër, një gabim i kundërshtarit dhe një infrastrukturë e pashoq propagande, kombinuar kjo me kujtesën afatshkurtër të njerëzve.
Frankfurt, 2022.
Më 7 dhjetor të 2022-shit arrestohet Heinrich-i i XIII, Princi Reuß, baron aristokrat gjerman. Ai në bashkëpunim me eksponentë të AFD-së dhe ushtarakë të lartë gjermanë kishin planifikuar një puç shteti i cili do të realizohej duke sulmuar Reichstag-un gjerman. Reuß, një nga figurat qëndrore të lëvizjes ‘‘Unioni i Patriotëve‘‘ do të katapultohej si udhëheqës i ri i Gjermanisë. Sigurisht i mbështetur dhe financuar nga Kremlini.
Saksoni, Bajern dhe jo vetëm
Çdo vit në Gjermani përsëritet i njëjti skandal. Grupe policësh, pothuajse nga të gjitha landet e vendit, të cilët komunikojnë në platforma online duke përshëndetur njëri-tjetrin me parrulla naziste dhe duke fyer emigrantët. Që prej vitit 2020 janë dokumentuar pesë raste të tilla, një pjesë e të cilave janë akoma në hetim.
Sot
E djathta tradicionale dhe e djathta ekstreme fitojnë bindshëm zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Respektivisht koalicioni CDU-CSU arrin të marrë 30% të votave dhe AFD-ja grumbullon e vetme 15,9% të votave. AFD-ja arrin një sukses të pamohueshëm elektoral, sukses i cili ka shqetësuar dhe kompleksuar jo pak politikanët gjermanë të të gjithë krahëve.
Dyshja Merz dhe Söder në krye të fraksionit CDU-CSU që prej daljes në opozitë e kanë ndryshuar haptazi kursin politik të partive respektive duke e orientuar atë dukshëm më djathtas. Humbja dërrmuese në zgjedhjet e fundit parlamentare erdhi si një shuplakë për kristian-demokratët gjermanë të cilët prej vitesh përballeshin me kritika të ashpra nga baza se e kishin prerë timonin shumë majtas për hir të politikës së kompromisit, politikë kjo e udhëhequr për shumë vite me vendosmëri nga Angela Merkel. Vitet e fundit të Merkelit në pushtet i kushtuan shumë CDU-së e cila mes votuesve të saj besnikë nuk konsiderohej më si përfaqësuese e të djathtës tradicionale gjermane. Ata që ishin më të zhgënjyer shpreheshin hapur se: ‘‘Këta janë krejt majtas prej vitesh, Gjermania nuk e ka më një parti të djathtë‘‘. Të tjerë ishin më të kursyer teksa shpreheshin se: ‘‘Vërtetë nuk janë më aq djathtas por janë kthyer në një parti të qëndrës. Jetojmë në kohë të tilla ku duhen bërë kompromise“. Ishin pikërisht këto kompromise dhe qëndrimi i stërgjatur në pushtet që çuan në një rezultat apokaliptik për CDU-CSU në vitin 2021. Koalicionit i rodhën shumë vota, e pikërsht kjo rrjedhje do t’i jepte jetë një rritje të mbështetjes për AFD-në, e cila arriti të afrojë rreth vetes një pjesë të madhe të të zhgënjyerve.
Sot rezultatet flasin haptazi për një humbje të thellë të koalicionit qeverisës. Duket se gjermanët preferojnë që në Parlamentin Evropian të përfaqësohen nga spektri i djathtë i cili në emër të një nacionalizmi primitiv po përpiqet të shtrojnë rrugën për një DExit në të ardhmen.
Nuk ka vend për habi
Suksesi i AFD-së në zgjedhjet për Parlamentin Evropian mund të ketë shokuar shumëkënd që e ndjek aktualitetin politik gjerman, por pakkënd që jeton në Gjermani. Dhe ata të shokuar dhe të shastisur që jetojnë në Gjermani nuk janë plotësisht të sinqertë në shastisjen e tyre. Një hamendësim i tillë është shumë i guximshëm dhe pak i papërgjegjshëm por gjithsesi ai mbetet pasqyrim i një fryme hipokrizie që ka kapluar mbarë Gjermaninë. Një frymë e tillë hipokrizie kushtëzohet nga sikleti dhe përballja me një mentalitet i cili i ‘‘pret drutë shkurt‘‘ kur bie fjala tek shprehja e formulimi i parashikimeve të cilat nuk shkojnë në një linjë me narrativën mbizotëruese. Pra, shumë gjermanë dhe jo-gjermanë rezidentë në Gjermani e dinë që AFD-ja ka një mbështetje të madhe mes votuesve, e dukshme në rrjete sociale dhe me pak e dukshme në përditshmëri, thjesht ata kompleksohen se vet konstatimi i një fakti të tillë u jep atyre vulën e simpatizantëve të AFD-së. Këta njerëz e ndihmojnë të keqen në qoftë se e parashikojnë suksesin e saj. E kështu të kompleksuar dhe të frikësuar shumica i bashkohet valles ‘‘në qoftë se nuk flasim rreth diçkaje, ajo diçka nuk ekziston‘‘. Injoroje derisa të ikë. Veçse kjo gjë as mund të injorohet e as që do të ikë pa një kthesë të madhe.
Pse AFD-ja fitoi në ish-Republikën Demokratike të Gjermanisë??
Pas çdo palë zgjedhje është bërë e rrugës që njerëzit e shifrave të fillojnë të studiojnë trendin dhe shpërndarjen e votave për partitë politike. Këto trende pasqyrohen në grafikë e harta të cilat në vetvete nuk shpjegojnë asgjë në pamje të parë.
Po t’i hedhësh një sy hartës e cila ilustron shpërndarjen e votave në zgjedhjet e fundit sheh qartazi se AFD-ja dominon pothuajse e vetme në lindje të Gjermanisë, duke filluar nga aty ku dikur Perëndimi dhe Lindja ndaheshin nga një mur.
Në pamje të parë shumëkush do të dilte në konkluzionin se:
‘‘Kjo ish-Republika Demokratike e Gjermanisë, këta komunistët e shtypur që nuk ia dinë vlerën demokracisë kuptohet që do të votonin për këta të AFD-së. Këta të Gjermanisë Lindore pëlqejnë liderat e fortë dhe kanë qejf të vihen në rresht. Këtyre STASI nuk u la gjë pa bërë e këta nuk ngritën dot kokë. Edhe bashkimin e bënë politikanët nga Gjermania Perëndimore, se po të ishte për këta lindorët këta do të vazhdonin në varfëri. Këta duhet t’i falen Zotit dhe Helmut Kohl-it që u bënë qytetarë të lirë. Po këtyre nuk u ikën shpirti nga propaganda dhe Honekerat. Këta janë fiks si ne shqiptarët, njohin vetëm lakun dhe hurin‘‘.
Kjo analizë dhe pse e pasur në nuanca dhe krahasime është në vetvete e pasaktë.
Për të kuptuar se pse gjermanët lindorë votuan për ekstremin e djathtë na duhet të kthehemi pas në kohë.
Bashkimi i dy Gjermanive është një nga ngjarjet më të rëndësishme të shekullit të kaluar. Gjermania Perëndimorë, kapitaliste dhe e pasur do të bashkohej me DDR-në komuniste me një ekonomi të centralizuar që lëngonte.
Muri ra dhe brenda natës Gjermanisë Lindore do t’i duhej të rishpikte veten; të hynte në treg dhe të bëhej konkuruese. Gjermanët që ishin mësuar të punonin për shtetin tani do të duhej të mësoheshin me idenë se fabrikat, uzinat dhe gjithçka tjetër do të duhej të privatizoheshin. I gjithë ky plan i madh transformimi filloi vrullshëm duke shkaktuar një krizë të vërtetë sociale. Një popull i traumatizuar prej vitesh nga një regjim brutal, do të përballej me reformat neoliberale të cilat u imponuan me emergjencë dhe përdhunshëm pa marrë në konsideratë pasojat afagjata. Shumë uzina dhe fabrika u mbyllën, të tjera u blenë dhe u transformuan. I gjithë ky kaos i shkoi për shtat afaristëve nga Gjermania Perëndimore të cilët patën shansin e artë të blinin konkurentët e tyre në treg. Një pjesë e konsiderueshme u blenë me qëllimin e vetëm të falimentimit dhe nxjerrjen nga tregu të konkurencës. Shumë të tjera u blenë dhe u zhvendosën në perëndim të Gjermanisë. Çka pasoi ishte papunësi në masë dhe dëshpërim. Vetëm pak kohë pas unifikimit të Gjermanisë mijëra gjermanë në lindje të vendit e gjetën veten në rrugë. Kontakti i tyre i parë me lirinë, demokracinë, kapitalizmin dhe tregun e lirë ishte zhgënjyes. ‘‘Dora e padukshme‘‘ i dha lindjes një shuplakë të fortë, shuplakë e cila djeg ende sot. Kudo në lindje të Gjermanisë mund të gjesh njerëz të cilët tregojnë akoma me detaje mbi ngjarjet e atyre viteve. Ata tregojnë se si nuk kishin as punë e të holla dhe se shumë prej profesioneve të tyre nuk kishin më asnjë vlerë për tregun. Ata tregojnë më zemëratë mbi barcoletat e treguara kudo në Gjermani mbi ‘‘lindorët e prapambetur‘‘ që nuk e dini as se çfarë është ulliri dhe ananasi. Ata tregojnë mbi poshtërimin që ndjenin kur bashkëkombasit e tyre ankoheshin se lekët e gjermanëve nga perëndimi po shkonin tek ‚‘‘ata‘‘ që do të duhej të shpëtonin veten. Gjermanët në lindje tregojnë akoma me hidhërim mbi vitet kur survejoheshin nga STASI dhe me mëri mbi vitet kur ata u kthyen ne kavie të gjalla të një eksperimenti ekonomik.
Kjo e shkuar i bën gjermanët e lindjes ekstremisht skeptik kundrejt gjithçkaje çka vjen nga qeveria dhe elita politike. Shumica e tyre janë antiestablishment, të gatshëm të votojnë çdokënd që i mëshon kritikës së ashpër për klasën politike. Për ta të majtët dhe të djathtët e sotshëm janë e njëjta gjë, disa të kollarisur të korruptuar që duan të kontrollojnë dhe rregullojnë çdo aspekt të jetës së tyre.
Të zhgënjyer nga një Gjermani e tulatur, mosbesues kundrejt elitës politike që i detyroi të vaksinohen e të izolohen në shtëpitë e tyre, të zhgënjyer nga një ekonomi e topitur, ata i drejtuan sytë nga ata të cilët premtojnë se Gjermania nuk do të harxhojë miliona për të mbajtur me para të huaj parazitë të cilët shfrytëzojnë parajsën sociale gjermane apo për të financuar luftën e Zelenskit në Ukrainë.
‘‘Këta të huajt po e shkatërrojnë Gjermaninë!“ Apo??
Të huajt po shndërrohen në armikun publik më të madh në Gjermani. AFD-ja ka plane konkrete për deportimin e tyre në masë. Çlirimi i Gjermanisë nga parazitizmi i azilantëve është kali i Trojës për betejat elektorale. Kaq e suksesshme është AFD-ja në propagandimin e kësaj narrative sa po detyron dhe partitë e majta të ndryshojnë kurs. Është vet kancelari Scholz i Partisë Scialdemokrate i cili është shprehur haptazi për deportimin e të azilantëve në vendet e tyre të origjinës. Plani i tij prek vetëm ata të huaj të cilët kanë precedentë penalë dhe përbëjnë rrezik për shoqërinë gjermane. Ajo çka Scholz dhe partia e tij refuzojnë të bëjnë është reformimi i sistemit te asistencës sociale. Sistemi gjerman mundëson një siguri sociale të plotë, e cila shpesh kritikohet si një prej arsyeve se pse shumë gjermanë dhe të huaj preferojnë të mos punojnë por të marrin të gjitha përfitimet që sistemi t’i siguron: Banim, sigurim shëndetësor dhe të ardhura mujore. Në Gjermani është bërë e rrugës që njerëzit të ankohen se: “Është më e leverdisshme të jesh i papunë sesa të punosh“. Kjo narrativë po gjen përherë e më shumë terren në shoqërinë gjermane, duke ushqyer një pakënaqësi të gjerë në mes gjermanëve kundrejt emigrantëve dhe azilantëve.
Dhe për këtë dhe hall AFD-ja e ka një zgjidhje si për çdo hall tjetër.
Po SPD-ja, Të Gjelbërit dhe FDP-ja çfarë po bëjnë??
E thjeshtë, koalicioni qeveritar sapo kaloi një ligj që mundëson dyshtetësinë. Çdo i huaj që plotëson kushtet e parashikuara nga ligji mund të marrë nënshtetësinë gjermane, pa hequr dorë nga nënshtetësia e vendit të origjinës. Nënshtetësia nënkupton të drejtën e votës, kjo parashikohet të përkthehet në miliona vota për partitë e majta dhe ato liberale. Me miliona të huaj do të kenë mundësinë të barrikadohen kundër ekstremit të djathtë gjerman. Parashikim ky që në sytë e shumëkujt është i gabuar.
Ameba AFD
Alternativa për Gjermaninë është një makineri e përsosur propagande. Pak pas miratimit të ligjit të lartëpërmendur AFD-ja fillon shpërndarjen e fletushkave pa kursim në lagjet e populluara nga të huajt. Shumë mund të hamendësojnë se fletushkat janë për t’u shpërndarë dhe se nuk ka rëndësi se a je i huaj apo jo, a ke mbiemër gjerman në kutinë e postës apo jo. Fletushkat nuk diskriminojnë. Një fletushkë mund të jetë rastësi, tre të tilla brenda javës nuk është më rastësi, krahasuar kjo me zero fletushka të shpërndara në zgjedhjet e shkuara. Kjo lëvizje në terren po shoqërohet me ndryshime në narrativë. AFD-ja e di se me ndryshimet e reja në demografinë e votuesve do t’i duhet të përshtatet duke afruar afër vetes të huaj të kombësive të caktuara. Dhe si do e bëjë AFD-ja këtë? Si predatorë të stërvitur do të shfrytëzojnë dashurinë e shumë të huajve për liderin e fortë, arrogant me dorë të hekurt. Afrimi i AFD-së me elektoratin e ri do të kalojë pikërisht nga dobësia që një pjesë e këtij elektorati ka për Putinin dhe Putinët e kësaj bote. Dhe kësaj here AFD-ja do t’i drejtojë sytë nga Kremlini për frymëzim dhe financime. Narrativa do të lustrohet dhe njerëzve do t‘u bëhet e qartë që ne “arianët evropianë“ nuk jemi target i politikave segreguese dhe fashiste. Ata nuk e kanë me ne por me ATA, që erdhën këtu dhe nuk qullisën gjë. Ne paguajmë taksa, ata rrinë dhe bëjnë pallë. Se kush janë ata fatkeqë do të vendoset nga spindoktorët. Kujt t’i bjerë lapsi e si ta sugjerojnë Exit Pollet.
Si duket e nesërmja?
Përgjigja vjen vetvetiu: E pasigurt. Gjermania dhe Evropa gjenden edhe këtë herë në udhëkryq. Me një të majtë të tulatur dhe të squllur,e cila prej shumë kohësh e ka humbur rrugë në oborr, me një të djathtë tradicionale e cila përherë e më shumë po lë të kuptojë se bashkëpunimi me ekstremin e djathtë është më i mundur se kurrë, të krijohet përshtypja se fati politik i Gjermanisë dhe Evropës është i vulosur.
E ky nuk është një parashikim pesimist, por thjesht një konstatim realist.
Njerëz të të gjitha shtresave shoqërore janë të lodhur nga brroçkullat dhe fjalimet shabllone. Pushtetarët e kanë humbur prej kohësh lidhjen me bazën. Punëtorët e braktisur nga e majta, e cila prej kohësh është fokusuar në eksplorime të tjera, ndihen të poshtëruar. Korona ua hëngri kursimet ndërsa inflacioni po u gllabëron të ardhurat mujore.
Dhe këtë radhë duket se kriza ekonomike është pararojë e ndryshimeve të mëdha politike.
E në qoftë se për tregun e lirë ekonomik monedha më e rëndësishme është besimi (trust) në tregun e sotëm politik, të konceptur si të tillë, monedha më e rëndësishme është dëshpërimi. AFD-ja po kapitalizon mbi dëshpërimin dhe zhgënjimin e njerëzve.