Nga Arbër Zaimi

Në përurimin e një investimi amerikan për një park eolik në Shqipëri, dikush paska thënë se Shqipëria është treg i vogël, me gjasë duke nënkuptuar se kjo i jep edhe më shumë peshë investitorëve.

Kryeministri Rama paska reaguar për të vënë në vend sedrën kombëtare, duke thënë se të vegjël jemi, po jemi në pozitë strategjike, pranë tregut më të pasur në botë, Europës, duke lënë të nënkuptohet se ka peshë edhe pozita mes lindjes e perëndimit, gjë që e vlerëson lart edhe antipodi ekonomik i Amerikës, Kina.

Kjo u tha në prani të të ngarkuarës me punë të Amerikës në Shqipëri. Gjithë kjo rrëmbeu vëmendjen e mediave prej dy ditësh, jo pse po i bën Rama karshillëk Amerikës, jo pse e paskan ulur funksionaren amerikane pranë funksionares shumë të përfolur shqiptare Ballukut, e kështu me radhë. Dikush ndoshta shpreson që Rama ta pësojë si Maduro, dikush tutet mos nga vetëbesimi i tepruar Rama pengohet e rrëzohet dhe bashkë me të vuan edhe Shqipëria.

Por, a e pa ndonjëri se kush ishte investitori amerikan? CWP-ja është një kompani e cila në Amerikë zotëron vetëm një zyrë të regjistruar në shtetin Delaware, një lloj parajse fiskale e ShBA-ve. Themeluesi i saj, Mark Crandall është shtetas amerikan që jeton në Beograd. Ai është i martuar me motrën e Kori Udoviçki, ish ministres e zv.kryeministres së qeverisë Vuçiq 1. Kunata e biznesmenit Randall u zëvendësua në qeverinë Vuçiq 2 nga Ana Bërbabiq, e cila ishte edhe ajo e lidhur fort me Mark Randallin, sepse deri ditën që u emërua ministre punonte si drejtoreshë e CWP-së.

Mark Crandalli para se të merrej me energji të rinovueshme, është marrë me naftë. Prokopinë e ka krijuar me kompaninë e tij të dikurshme, Trafigura, e cila prej 1993 e deri në 2005 ka qenë një prej tregtarëve më të mëdhenj globalë të naftës ruse. Ajo shquhej për kontrata e operacione të mëdha, dhjetëramiliardëshe me Rosneft-in. Pas 2005 Crandalli u shkëput nga ajo punë, dhe për të lëvruar kapitalin e përftuar në bashkëpunim me rusët, themeloi një rrjet firmash të regjistruara nëpër parajsa fiskale, në Maltë, Qipro, Delaware, në Ishujt e Virgjër të Britanisë, e kështu me radhë.

Mark Crandalli bën parqe eolike, dhe paraqitet si investitor amerikan, por përfaqësuesi më zyrtar i Amerikës, Trumpi, para pak ditësh deklaroi se është kundër impianteve eolike në Amerikë dhe në sferën e saj të ndikimit, sepse ato përdorin kryesisht teknologji kineze. E edhe Europa nuk duket shumë entuziaste për punën e Crandallit, sado që ai është shprehur mbështetës i vetëqëndrueshmërisë energjetike europiane. Një vend europian që nuk e ka luksin t’u bëjë naze investitorëve, siç është Bullgaria, ka vendosur jo pak barriera e shkopinj ndër rrota për investimet e CWP-së, e cila edhe është ankuar për komplikimet e tepërta ligjore e rregullative në atë vend.

Teksa po diskutohet për pikëzën e mjaltit kinez, a mos e ka gjetur edhe një rrugë kapitali i lidhur me Serbinë e Rusinë për të hyrë në tregun energjik shqiptar, i ambalazhuar si investim amerikan?

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *