Drita e Gjilanit i fitoi të dy përballjet në turin e parë të Ligës së Kampionëve ndaj kampiones së Luksemburgut, me rezultatin e përgjithshëm 4-2.
Kështu, kampionia e Kosovës bëhet skuadra e parë nga ky shtet që arrin të kualifikohet në turin e dytë të Ligës së Kampionëve.
Presidenti i ekipit gjilanas, Flamur Bunjaku, nuk e fshehu entuziazmin pas këtij suksesi, duke theksuar në një postim në rrjetet sociale se tashmë Drita ka hapur një cikël të ri.
“Drita është klubi që të gjithë e duam – një skuadër që dominon kudo që luan, që ka shpirt, krenari dhe guxim. Fitore në Prishtinë dhe fitore në Luksemburg – kjo është Drita që jep gjithçka për ngjyrat e saj. Urime futbollistëve tanë për dy ndeshje të shkëlqyera ndaj Differdangës dhe për dy fitore të merituara nga fillimi deri në fund. Ata ishin të palëkundur, të përqendruar dhe të bindur se ky ekip meriton më shumë se thjesht një fazë të parë.
Një urim i veçantë për stafin teknik, për punën e mrekullueshme, për përgatitjen taktike dhe për qasjen profesionale që solli rezultat.
Dhe nuk mund të mos falënderoj zemrën e Dritës – tifozët tanë të jashtëzakonshëm, Intelektualët – që nuk e lanë skuadrën asnjëherë vetëm, madje udhëtuan deri në Luksemburg për ta përkrahur klubin me një energji të jashtëzakonshme. Ata janë ndriçimi ynë në çdo betejë evropiane.
Ky kualifikim nuk është thjesht një fitore e klubit tonë, është një moment historik për futbollin e Kosovës. Asnjë klub nga vendi ynë nuk kishte kaluar më parë në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve – por ne e bëmë.
Jam shumë i lumtur dhe krenar për futbollistët, për stafin dhe për të gjithë ata që janë pjesë e kësaj familjeje të madhe që quhet Drita. Por ky është vetëm fillimi. Përpara na presin sfida edhe më të mëdha, edhe më të bukura. Drita është krenaria e Gjilanit, e Kosovës dhe së shpejti – do të jetë edhe krenaria e Evropës.”
Megjithatë, shorti nuk u tregua i favorshëm me Dritën, pasi në turin e dytë do të përballet me një emër të madh të futbollit evropian, siç është Kopenhaga e Danimarkës.