Nga Shaip Beqiri
Çdo përgjasim me gjendjen pas një shekulli nuk është aspak i rastësishëm
Konkludimi i Luigj Gurakuqit, pas dështimit të kryengritjes së vitit 1912, kur pro-sulltanistët dhe fanatikët fetarë kundërshtonin shkëputjen nga Perandoria Osmane dhe shtetin e pavarur shqiptar: “Faji është i të gjithë neve, sepse u lanë të ndërhyjnë fanatikët e Prishtinës, Shkupit e të Tetovës, që deshën të tregohen më turq se turqit”.
Udhëheqësi politik në Kosovë, Hasan Prishtina, e kujton me hidhërim sabotimin e kryengritjes:
«Koha e shenueme për kryengritje u afronte gjithnji. I shkrova Ismail Qemalit qi ta kryente detyrën. M’u përgjigj me sot e me nesër e me premtime të thata. Me apathinë [pasivitetin] qi diftoi Ismail Qemal Begu në të kryemit e detyrës së vet, na pat krijue nji gjendje gati të dishprueshme.
Që në Prishtinë, Riza Gjakova dhe Isa Boletini më thanë se “ne nuk duam autonomi dhe nuk mund të dahemi prej osmanëve.” Kryengritja u sabotua sepse Riza Beg Gjakova dhe Isa Beg Boletini dhe shumë fanatikë fetarë [islamikë] hallin e kishin me mësye e me e lirue Sulltan Hamidin [Kalifin, prijësin islam, për të instaluar rendin e vjetër të sulltanatit] prej burgimit në Selanik [ku e kishin burgosur xhon-turqit që kishin hipur në pushtet nga viti 1908].
Në Shkup mbrritëm me 20 përqind të fuqisë që kishim në Prishtinë. Rizai e Isa mendojshin m’e pështu [shpëtuar] Sulltan Hamitin, qi ishte i burgosur në Selanik. Jo që nuk mund t’u flitte me ta për punë t’Independencës [Pavarësisë], por nuk mund t’u përmendje gjâ as për autonomi, pse këto ishin fjalë qyftri (mkati) për Riza begun e Isa Boletinin. Ibrahim pasha [një turko-arnaut nga Manastiri në radhët e Perandorisë Osmane] e dinte që Hasan Prishtina ishte prishur keqas (me disa krerë). Ishte nevoja me e shpërnda nji orë e më parë fuqinë që kishim.
Përfaqesues të ardhun të Shqipnisë së Mesme, Abdi Toptani, Mustafa Kruja dhe Marka Gjoni, kur panë shkallën e fanatizmit të Riza Begut e Isa Boletinit, u dëshpëruen. U bindën se nuk mund ta shpallnim Indipendencën [Pavarësinë].»
Hasan Prishtina, “Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqyptare të vjetit 1912”, Shtypshkronja Franciskane, Shkodër, 1921
Ndërsa Faik Konica rrëfen: „Kur vajta me 1913 ne Shqiperi per te shikuar per s’afermi punet, zbulova me hidherim se shumica e madhe e popullit jo vetem qe nuk i shihte me sy te mire idealet t’ona te nje Shteti te perparuar, po s’pelqente as ndihmen qe po na jipej nga rastet dhe nga bamiresit e fuqive te’Evropes. Eshte per çudi dhe gje fare e vertete, se shumica e madhe e popullit te Shqiperise e priti dhuraten e dhene [shtetin e pavarur] me moskenaqesi, me thartesira dhe me sy te zgurdulluara nga prapamejtime: qe u duk pak me vone nga kryengritjet [pro-turke] qe u bene njera-pas tjatres.“ – Faik Konica, “Historia e ca ndryshimeve“, gazeta Dielli, 6 maj 1926
E din vetë, kujtoj, zotnija,
se janë rrêna kto fjalë të tija,
se ai Shqipninë nuk e ka bâ.
Ai ka ndêj n’borë e n’murrâ,
n’Tarabosh e kah Tetova,
zi tue hjekun si sarova,
edhe âsht thá e bâ tërfurk
veç për t’lânë Shqipninë nën Turk,
për nën thundër të Sulltanit…“
– Át Gjergj Fishta „Gomari i Babatasit“, 1923
“