Kukësi, qarku më i varfër në Shqipëri, rezulton paradoksalisht me shkallën më të lartë të punësimit në vend. Të dhënat zyrtare të INSTAT për vitin 2024 tregojnë se Kukësi ka një shkallë punësimi prej 70,9%, i ndjekur nga Gjirokastra me 66%, ndërsa në fund të renditjes qëndrojnë Lezha (47,6%) dhe Vlora (51,7%).
Sipas Monitor, ky kontrast mes treguesve të punësimit dhe nivelit të jetesës ngre pikëpyetje të mëdha mbi strukturën e tregut të punës. “Teksa Kukësi ka shkallën më të lartë punësimit, ai vjen në fund të renditjes nga 12 qarqet për shpenzimet mujore të familjeve”, shkruan revista. Në vitin 2023 një familje në Kukës shpenzonte mesatarisht 73,225 lekë në muaj, niveli më i ulët në rang vendi dhe rreth 20% më pak se mesatarja kombëtare.
Analiza e strukturës së punësimit në qark tregon se 72% e të punësuarve janë të angazhuar në bujqësi. Por, ndonëse përqindja është e lartë, rendimenti i prodhimit bujqësor në Kukës është më i ulëti në vend. “Pothuajse të gjithë të punësuarit që raportohen në bujqësi nuk kanë të ardhura mujore”, thekson Monitor, duke shtuar se punësimi me pagë mbështetet kryesisht nga sektori shtetëror – administrata lokale, arsimi dhe shëndetësia.
Kjo situatë reflekton një problem më të gjerë: qarqet ku dominon bujqësia kanë punësim të lartë në statistika, por nivel jetese të ulët. Përveç Kukësit, edhe Elbasani, Dibra, Berati dhe Korça kanë mbi gjysmën e të punësuarve në sektorin bujqësor.
Në të kundërt, qarqet me ekonomi më të zhvilluar, ku industria dhe shërbimet zënë peshë më të madhe, arrijnë standard jetese më të lartë. Për shembull, në Tiranë 63,8% e punësuarve janë në sektorin e shërbimeve, 26,7% në industri dhe vetëm 9,4% në bujqësi. Në Durrës, industria punëson 31,9%, shërbimet 39,6%, ndërsa bujqësia 28,5%.
Edhe në qarqe si Lezha, Vlora dhe Gjirokastra, përqindja e të punësuarve në shërbime mbetet dominuese, duke kontribuar më shumë në të ardhurat reale të familjeve.
Në rang kombëtar, bujqësia vijon të jetë punëdhënësi kryesor me 36,7% të totalit të të punësuarve në vitin 2024, edhe pse kjo shifër ka pësuar një rënie të lehtë nga 37,2% që ishte në vitin 2023.