Nga Elkier Bushkolaj
Kulla e Ngujimit, e ndërtuar rreth 400 vite më parë në Theth, është dëshmi e qartë se në malet e këtij vendi ka pasur kanun, ligje dhe drejtësi që garantonin shenjtërinë e pronës dhe jetës, edhe në mungesë të shtetit. Ndërsa sot, kullat e “narkoarkitektëve” të Manualit Hajri — të cilave Edi Rama u ka vënë jo vetëm firmën, por edhe fytyrën — janë simboli më kuptimplotë i rrënimit të shtetit ligjor.
Sot, në Theth, banorëve u zbarkuan IKMT-ja dhe policia me një “manual serb”, për të shembur disa shtëpiza druri pranë Kishës së fshatit. Ndërkohë, në zemër të Tiranës, territori i një kishe është dhënë për ndërtimin e një kulle, ku, përveç zyrave të Kishës, parashikohet të ketë SPA, palestër dhe madje edhe kazino.
Për ironi të fatit — dhe të atij që duhej të hetonte ndërtimin e kullave, përfshirë edhe ato në oborrin e Kishës — rezulton se një kishë i ka ndërtuar shtëpinë.
Në këtë vend, çdo firmë e kreut të shtetit është bërë çelësi i një mekanizmi pasurimi për të dhe familjen e tij, ndërsa për vendin përfaqëson një tjetër hap drejt mjerimit. Shqipëria po shndërrohet dita-ditës në një narkoazil.