Ndërtimi i një kulle 64 katëshe pas Teatrit të Operas dhe Baletit Ka sjellë akuza dhe kundërakuza në kampin opozitar.

Lulzim Basha ka theksuar se pas pronarëve të kësaj kulle qëndron djali i ish-kryeministrit, Sali Berisha duke iu referuar Shkëlzen Berishës. Sipas Bashës, kjo kullë është dhuratë e Edi Ramës dhe prova e radhës se në prapaskenë, klasa e vjetër poltike punon për të ruajtur pozitat dhe privilegjet e veta.

“Mali i korrupsionit në qendër të Tiranës i mbuluar nga “omertà” e bashkëfajësisë mafioze, është një karshillëk ndaj të gjitha institucioneve që kanë për detyrë të mos lejojnë që Shqipëria të kthehet në një parajsë për pastruesit e parave dhe miqve të tyre në politikë dhe nga ana tjetër e shndërron vendin tonë në një ferr pandershmërie dhe pandëshkueshmërie për qytetarët që kërkojnë standarde europiane për të ndërtuar jetët e tyre dhe familjeve të tyre. Kjo “omertà”, ky kod i heshtjes, prodhon një ekonomi të deformuar, që nuk pasqyron forcat normale të tregut, që gjymton konkurrencën, iniciativën e lirë, besimin te institucionet, të cilat shihen si legjitimuese të krimit dhe korrupsionit. Detyra jonë si Parti Demokratike është të mposhtim këtë heshtje shurdhuese që dëmton interesin publik, sa herë interesat e kastës 33 vjeçare bëhen bashkë si dy duar që lajnë fytyrat e nxira nga korrupsioni. Prandaj sot dua të përsëris mbështetjen time dhe të Partisë Demokratike ndaj SPAK-ut, mbi të cilin bie barra e rëndë e hetimit dhe ndëshkimit të të gjithë atyre që e kanë kthyer Shqipërinë në një lavatriçe të pastrimit të parave, e cila nuk dëmton vetëm ekonominë, por edhe trashëgiminë, kujtesën historike, hapësirën publike, të kthyera në plaçkë për fare pak njerëzve. Pastrimi i politikës përmes vetting-ut, është domosdoshmëri për t’i dhënë fund epokës së korrupsionit, që politikanët të mos jenë në shërbim të ligarkëve dhe interesave kriminale, por t’u shërbejnë qytetarëve dhe interesit publik.” – thekson Bashan në reagimin e tij.

Shkëlzen Berisha reagoi ndaj këtyre akuzave duke i cilësuar si shpifje dashakeqe. Berisha ftoi kryeministrin Rama të anulojë publikisht lejen e këtij projekti.

“Dje dhe sot media të sponsorizuara me tendera dhe para inceneratorësh si dhe të njohura gjerësisht në opinion si tualete mediatike që shpërndajnë me porosi nenproduktet Rama – Veliaj më kanë vënë në qendër të “sulmeve” sepse bash padronët e tyre (Rama & Veliaj) gjoja me paskan bërë dhuratë një kullë 125 m të lartë në qendër të Tiranës! Në lojë kanë futur dhe “jaranin” e Ballës të cilin e ngrijnë dhe e shkrijnë sa herë u duhet për të filluar beteja imagjinare! Në fakt ana më qesharake e strategjisë nuk është shpifja ndaj personit tim por sulmi që në vend të Ramës që ka firmosur e dhënë lejen bëhet ndaj meje, si gjoja “përfituesi” i saj! Mjafton të shikosh kush e shet gjellën për të kuptuar kush e ka gatuar! Gjatë gjithe këtyre viteve e vetmja gjë që Shkelzen Berisha ka “përfituar” nga Rama – Veliaj dhe zagarët e tyre politikë e mediatikë janë shpifjet dhe kallëzimet e rreme! Sidoqoftë për t’i dhënë një përgjigje kujtdo që ka ngelur ne grepin e shpifjes së radhës po i bej një sfidë publike Edi Ramës që të revokojë lejen e ndërtimit, ose të pranojë në heshtje se pas saj njëlloj si për qindra leje të tjera janë pazaret që ai firmos paf paf paf e fap fap fap bash si për vjedhjen e inceneratorëve! Sigurisht që ai nuk do bëjë asgjë, pasi në thelb gjithë zhurma e shpifjes nuk ka për qëllim prishjen e pazareve të Ramës, por largimin e vemendjes nga skandali i inceneratorëve për të cilin ai dhe Veliaj në ndryshim nga skandali i Kullës, rrezikojnë burgun! Sidoqoftë sfida mbetet e hapur … revoko lejen ose haje me “nder”! –  shkruan Shkëlzen Berisha.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *