Është kënaqësi të jetosh në njërin prej shteteve të rëndësishme evropiane. Kam kuptuar se shumë amerikanë e kanë ëndërr të jetojnë në Evropë. Së fundmi, lajmi për fitoren e Zoran Mamdanit si kryebashkiak në Nju Jork mori dhenë. U thye Trampi, shkruante njëri; e majta triumfon, shkruante tjetri; radikalët janë e ardhmja, ishte një mesazh tjetër.

Ndërkohë, shifrat flasin më mirë se ideologjitë. Këtë javë shteti i Nju Jorkut kaloi buxhetin, i cili është 262.7 miliardë dollarë për vitin fiskal 2027.

Një nga aspektet interesante që ka Evropa dhe Amerika nuk e ka është shëndetësia publike dhe e përballueshme për xhepin e qytetarit. Shpenzimet shtetërore për “Medicaid” në Nju Jork parashikohen të jenë 38.2 miliardë dollarë, me rritje prej 11.4% nga 34.3 miliardë në vitin fiskal 2026. Shpenzimet shtetërore për shëndetësinë (Medicaid + programe të tjera të Departamentit të Shëndetësisë) vlerësohen rreth 40–45 miliardë dollarë, që përbëjnë rreth 15–17% të buxhetit total prej 262 miliardë dollarësh. Statistikisht, me popullsi rreth 19.5 milionë banorë, shpenzimet shtetërore për “Medicaid” janë 1,960 dollarë për person. Shpenzimet totale publike për shëndetësinë (federale + shtetërore + vendore) janë 5,000–6,000 dollarë për frymë.

Në Evropë shpenzimet për shëndetësinë zakonisht maten si përqindje e PBB-së. Mesatarja është 10% në BE. Gjermania e ka 11.7%, Franca 11.5%, Austria dhe Suedia 11.2%. Shpenzimet për frymë në këto vende janë rreth 4,000–6,000 dollarë në vit. Nju Jorku dhe SHBA-ja në përgjithësi kanë shpenzime totale për shëndetësinë rreth 18% të produktit bruto vendor, ose rreth 13,400 dollarë për frymë. Gati dyfishi i mesatares evropiane. Rrallë më ka rastisur të dëgjoj ndonjë amerikan që nuk e kritikon shëndetësinë dhe kompanitë e sigurimeve në cilindo shtet që banon. Amerika nuk e konkuron dot Evropën në këtë aspekt sepse sistemet evropiane janë kryesisht publike dhe universale, me kosto më të ulëta falë kontrollit të çmimeve dhe efikasitetit. Nju Jorku dhe shtetet e tjera amerikane kanë kosto më të larta për shkak të sistemit të fragmentuar publik-privat dhe mungesës së efikasitetit, qoftë kur janë shtete republikane, qoftë demokrate, qoftë të majtë, qoftë të djathtë.

Po ashtu, një problem tjetër masiv janë qiratë e shtëpive në Nju Jork dhe shtete të tjera amerikane. Edhe Evropa ka probleme në këtë aspekt, por jo sa Nju Jorku. Me këtë aspekt të rëndësishëm të jetesës së qytetarëve do të merremi një radhë tjetër për të treguar se Evropa është kontinenti që amerikanët duan ta kopjojnë, por nuk po u del dot.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *