Nga Arbër Zaimi
Perandoria Osmane, e njohur gjerësisht si Turqia, ishte superfuqia kryesore botërore në shekujt XVI dhe XVII, me kulm ekspansiv në kohën e Perandorit Sulejmani i Madh. Ajo kontrollonte rrugët kryesore të transportit ndërkontinental, si dhe zotëronte territore të gjera në tre kontinente. Si çdo superfuqi kryesore në kohën e vet, ajo impononte vendime e alenca.
Por, si gjithë të tjerat nuk qe e përjetshme. Jetoi rreth 6 shekuj, nga të cilat dy të mbramet në dekadencë, dhe e mbylli ciklin e vet.
Sipas meje dy janë momentet kyç, që u nënvleftësuan dhe nisën zinxhirin e dominove që rrëzohen.
I pari është zbulimi i udhëve perëndimore drejt Azisë e rrotull Afrikës. Teksa Turqia me vetëbesim të madh impononte tarifa në tregtinë ndërkombëtare se mbante çelësat e Bosforit dhe kontrollonte brigjet e Levantit e të Magrebit, vendet e tjera zori i shtyri drejt gjetjes së rrugëve të reja. Rrugët e reja janë plot të papritura, por e papritura më e madhe gjithnjë i ndodh atij që mjaftohet me dominimin e rrugës së vjetër. Marinarët në anijet e Kristofor Kolombit, “Niña”, “Pinta” dhe “Santa Maria” teksa zbarkonin në ishujt e Karaibeve nuk kishin nga ta dinin se po i hapnin rrugën proceseve koloniale por edhe akumulimit të kapitalit dhe revolucioneve industriale e teknologjike që zhvendosën qendrën gravitacionale gjeopolitike.
Momenti i dytë është luftarak: superfuqitë ekzistojnë vetëm duke u zgjeruar. Turqia me Qyprillinjtë në krye të ushtrive arriti të dalë gjer përtej Dnjestrit, duke krijuar një sanxhak në Ukrainë. Sanxhakbejlerët ishin gjithnjë kozakë. Sanxhaku ukrainas zgjati nja 130 vite, e pastaj Perandoresha e Rusisë, Katerina e Madhe kuptoi se nuk i ruante dot kufijtë e perandorisë së saj nëse nuk fillon të zgjerohet. Turqia ngadalë filloi të tërhiqet me besimin “kontabilist” se tërheqja kursen ndërsa zgjerimi kushton, se nuk ia vlen pra angazhimi i kushtueshëm tokësor por ia vlen mbrojtja pas kufijve natyrorë ujorë, fillimisht duke thënë: “S’kemi çka lypim përtej Dnjestrit”, dekada më vonë mandej u detyrua të thotë “S’kemi çka lypim përtej Danubit”, e në fund po të mos qe për Ataturkun, do të kishte përfunduar ta shihte me dylbi edhe Bosforin e brigjet e Egjeut apo të Detit të Zi.
Nga fundi i vjeshtës së sivjeme, një anije gjigande kineze e mbushur me kontenierë, me emrin “Istanbul Bridge” hyri në portet britanike. Marinarët e saj e dinin se kjo ishte anija e parë transportuese e këtyre përmasave që nuk kalonte nga Kanali i Suezit, por përdorte një rrugë të re – rrugën arktike – e cila shkurton përgjysmë kohën dhe kostot.
Në vitet e fundit po shtrohet sërish pyetja: kush i dominon rrugët ndërkontinentale, por edhe tjetra, cila sferë influence do të zgjerohet (prapë) në Ukrainë dhe cila do të zbythet?

