Nga Sebastian Zonja
Shkruante një italian, siç dinë t’i kopsisin artikujt ata, se kjo puna e Lindjes së Mesme e eksiton presidentin amerikan Donald Trump. Se pse i bëjnë të gjitha erotike, një Zot e di! E gjithë bota pret çfarë do të bëjë shefi i Shtëpisë së Bardhë, ndërsa një paqtim i mundshëm rrezikon t’i japë atij një çmim Nobel, apo t’i akordohet titulli që ai ka qejf: “Art of the Deal”.
Në krahun tjetër, një bombardim përçan republikanët, fut ekonominë në një spirale të rrezikshme, por i jep një mesazh të qartë Kinës dhe Rusisë: agonia e periudhës Biden ka marrë fund. “Jemi këtu për veten dhe aleatët tanë!”
Kusuret tona
Nëse shkohet në negociata, siç po kërkon me insistim Europa, “Art of the Deal” do të vijë këtej nga mëhalla jonë. E mbani mend si kruante kokën Aleksandër Vuçiqi në Shtëpinë e Bardhë kur i tha presidenti, gjatë mandatit të parë, se do ta çonin ambasadën në Jerusalem? Kështu do të kruajmë edhe ne, kur të na thotë: “Zbato marrëveshjen e Ohrit!”, tani, sot, pikë për pikë. Ec e gjej derman pastaj!
Hajdutë të rrezikshëm
Këta italianët duhet të dinë shumë, sepse tha njëri mbrëmë në një emision se Izraeli e kishte të lehtë të depërtonte brenda Iranit, pasi shefin e zyrës për Izraelin brenda shërbimit inteligjent iranian e kishin agjent të vetin. Po mendoja me vete: a e ka çarë armiku fortesën e pamposhtur shqiptare me agjentura të huaja? Sigurisht që jo, sepse tradhtia ndaj vendit fillon kur vjedh lekët e rrogave dhe pensioneve për të mbushur xhepat. Por ne japim bonuse për pensionistët – ndaj jemi një demokraci solide, me institucione që mbrojnë me pathos interesat kombëtare.
Revolucione me sponsor
Ndërkohë, thoshte një gjerman në një nga këto podkastet se u çudit se si ra elita drejtuese në Teheran, sikur t’i kishte ardhur afati i skadencës. Me ironi komentoi një tjetër: kur kthehesh në bandë të armatosur që kërkon edhe armë të rrezikshme, ata që të vunë në pushtet, ata ta shtypin kokën.
E kush, vallë, ta ketë çuar me dorë Ajatollahun nga Parisi në Iran, apo siç quhet ndryshe “regime change”?
Iu hodh një tjetër dhe shtroi pyetjen: edhe Vladimir Leninin gjermanët e çuan me mision në Rusi që të mbyllte Luftën e Parë Botërore, por nuk i parashikuan dot të gjitha etapat.
Ec e merre vesh ç’ndodh!