Nga Arbër Zaimi
Dënimet e politikanëve dhe zyrtarëve të nivelit të lartë e të mesëm në Shqipëri krijuan një përshtypje sikur po i përngjajnë situatës së krijuar në Itali në fillim të viteve ‘90, kur si pasojë e operacionit “Duar të Pastra” (Mani Pulite) u dënuan shumë politikanë e zyrtarë.
Ngjashmëria nuk mungon, por ka të paktën tre pika ku deri tani nuk ngjajnë rezultatet e SPAK me ato të “Mani Pulite”.
E para: Operacioni i drejtësisë në Itali shkaktoi shumë tronditje të mëdha, edhe vetëvrasje. Kryeministri socialist Bettino Craxi u arratis nga vendi dhe vdiq nga pleqëria vite më pas në arrati. Tek ne në Shqipëri deri më tani nuk ka patur tronditje të tilla, as vrasje ndërgjegjeje që mund të çojnë dikë të ngrejë dorë ndaj vetes (larg qoftë). Të dënuarit e kanë pranuar burgimin me doza të përmbajtura indinjate, për të mos thënë me një farë sportiviteti. Është arratisur vetëm një zv.kryeministër po sa peshë ka ai, në një vend ku pushteti është i centralizuar vetëm në një palë duar?
E dyta: Hetimet dhe dënimet në Itali prodhuan të penduar. Njerëz që pasi u burgosën rrëfyen për raportet dhe hierarkitë jashtëligjore, që lidhin pushtetin politik me atë biznesor e mafioz. Tek ne kjo nuk ka ndodhur, nuk ka patur të penduar e as rrëfime, me aq sa dimë. Përkundrazi ka qëndrime të tipit “partia time më dënon, po unë prapë do ta votoj edhe nga burgu”. Si ka mundësi, dënohen gjithë këta ministra, kryebashkiakë, deputetë, drejtorë, por askush nuk rrëfen asgjë? Nga kjo rrjedhin pyetjet: A janë burgjet e Shqipërisë vend ku mund të pendohesh e të rrëfehesh lirisht? Dhe a është jashtëburgu shqiptar vend ku familjarët e të afërmit e të penduarit mund të jetojnë të sigurt? Ec e dije…
E treta: “Mani Pulite” solli rënien e pesë partive tradicionale që kishin mbajtur pushtetin dhe opozitën në Itali, duke i hapur rrugën jo parajsës, por Berlusconit me formulën biznes+media=politikë, e Berlusconi i detyruar nga mosha, dekada më vonë ia hapi rrugën Salvinit e Melonit. Te ne, ndryshe nga rasti italian, ca nga partitë tradicionale janë në rënie, po ajo më e vjetra njeh vetëm rritje. Mbase “zonja e vjetër” e ka gjetur ilaçin kundër moshës, duke e integruar “Berlusconin shqiptar” brenda partisë.