Nga Arbër Zaimi
Thuhet se Macron i ka shpallur zgjedhjet parlamentare si një lëvizje taktike për të dëmtuar të djathtën ekstreme, e cila doli e para në zgjedhjet evropiane me mbi 31% të votave në Francë, më shumë se dyfishin e të dytës, që ishte Rilindja e presidentit Macron.
Ata që bëjnë këtë interpretim dëshirëplotë, thonë se meqenëse e djathta ekstreme (Grumbullimi Kombëtar i Marine Le Pen) nuk di të qeverisë, Macron po shfrytëzon momentin për ta delegjitimuar, dy vite para zgjedhjeve presidenciale.
Ky interpretim ka dy gabime të mëdha brenda. E para, e djathta ekstreme problemin nuk e ka se “nuk di të qeverisë”. Këtë problem nuk e ka pasur kurrë. E djathta ekstreme për nga natyra është forca më e përshtatshme për pushtet, dëshiron gjithnjë më shumë pushtet, përshtatet lehtë me më të fortët se ajo (superfuqitë) dhe i “përshtat” pa teklif më të dobëtit se ajo. Bindja se do të vijnë në pushtet dhe aty do bllokohen shpejt, u provua e rreme së fundmi edhe nga Meloni në Itali. E dyta bindje e rrejshme është se, kur të shohin njerëzit (populli) paaftësinë dhe mungesën e kompetencës në stafet qeverisëse të së djathtës ekstreme, asaj do t’i bjerë popullariteti. Kjo gjë u vërtetua gabim në Amerikë.
Lëvizja e Macronit me shpalljen e zgjedhjeve do të kishte kuptim vetëm nëse shihet si taktikë, ku ai dëshiron të shfrytëzojë rritjen e madhe të së djathtës ekstreme për të trembur seriozisht partitë e tjera, që ato të mbështesin një kandidat nga Rilindja e Macronit në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Pra presidenti shpreson se rezultati i Rilindjes si e dyta, i jep asaj legjitimitetin të kërkojë mbështetjen e partive të tjera. Deri më tash centristët e majtë (PS) dhe centristët e djathtë (LR) kanë refuzuar publikisht bashkëpunimin me Macronin, që e shohin si fajtor për ardhjen e punës deri këtu. Ndërsa e majta e Melenchonit ka marrë rezultat edhe më të dobët duke humbur ndoshta shansin për të qenë sfidant i vërtetë.
Në fakt Macroni është fajtor për hapjen e shumë dyerve për të djathtën ekstreme. Fajin më të rëndësishëm e ka për çuarjen përpara të një formati politik populist, pa organizim tradicional partiak, por si grupim rreth një personi (atij vetë). Ky grupim që brenda pak kohësh ka ndërruar disa herë identitet (emër) dhe së fundi është vetëquajtur Rilindje ndoshta nën frymëzimin e një të ngjashmi si Rama, ka pretenduar se është “as i majtë as i djathtë”, ka peshkuar vota e individë sa majtas djathtas, ka dobësuar shumë partitë tradicionale duke dëmtuar edhe vetë pluralizmin (ndoshta pa dashje). Kësisoj terreni ka qenë fort i shkretuar, i lehtë për avancimin e forcave tipike “as të majta as të djathta”, me kult të fortë individi, siç janë ato me origjinë te fashizmi i vjetër.
Një farë shprese mbetet që në zgjedhjet parlamentare njerëzit të votojnë ndryshe nga ato europiane, me pjesëmarrje më të madhe e me mendje më të shëndoshë. Kjo bën vaki. Njerëzit shpesh votojnë ndryshe në zgjedhjet presidenciale, parlamentare, lokale apo europiane, kjo është e vërtetuar. Por kjo shpresë është megjithatë e dobët edhe për faktin se, siç thamë, organizatat partiake klasike të cilat bëjnë edukimin dhe mobilizimin e votuesve në bazë, janë shumë të dobësuara.