Nga Lutfi Dervishi
Në një shtet demokratik, Presidenti, Kryeministri, Kuvendi apo gjykatat nuk janë objekte kulti, por shërbyes publikë që kritikohen — edhe ashpër — pa u përlyer me kode penale. Termi “përdhosje” është aq “llastik”, sa çdo meme, karikaturë apo status në Facebook mund të bëhet pretekst për burg.
Neni 55 (i agjitacion-propagandës) në kohën e komunizmit ishte më i qartë!
Neni 236 i projektit të Kodit të ri Penal:
“Përdhosja e Republikës, Presidentit, Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Gjykatës Kushtetuese ose sistemit gjyqësor, forcave të armatosura apo dëshmorëve të Atdheut, dënohet me burgim deri në tre vjet.”
“Për qëllim të këtij ligji, me përdhosje do të kuptohet dhunimi i diçkaje të shenjtë, vetive të larta morale apo vlerave të nderuara botërisht: poshtërimi, bërja e padobishme, përçmimi, tallja, përlyerja apo përbuzja e institucioneve të përmendura në këtë dispozitë.”
Në Belgjikë, vetëm përdhosja publike e Mbretit dënohej me burg nga 6 muaj deri në 3 vjet. Por në vitin 2021, Gjykata Kushtetuese belge e abrogoi këtë nen si “të kundërt me lirinë e shprehjes”.
Të njëjtën gjë ka bërë edhe Gjykata Kushtetuese holandeze që në vitin 2018.
Nëse ky nen miratohet, atëherë të gjithë shqiptarët kanë të drejtë ligjore të kërkojnë strehim politik.